![Atletiko Madridi tallet keq fare me ankesat e Florentino Perezit për arbitrimet](https://shprehja.com/wp-content/uploads/2025/02/Atletico-Madrid-players-celebrate-after-Atletico-Madrids-Antoine-Griezmann-scored-his-sides-third-goal-during-the-Champions-League-Group-E-scaled-850x560.jpg)
Atletiko Madridi tallet keq fare me ankesat e Florentino Perezit për arbitrimet
Të shtunën në mbrëmje do të luhet Real Madrid- Atletiko Madrid, një derbi që këtë herë premton shumë tension. Gjithçka nisi me një letër zyrtare të dërguar nga Real Madrid në La Liga, ku kampionati spanjoll u cilësua si “i manipuluar dhe i korruptuar”.
Arsyeja?
Një faull i rëndë i Karlos Romero (Espanyol) ndaj Kilian Mbapes, i cili nuk u ndëshkua me karton të kuq. Atletiko Madridi nuk ka vonuar të përgjigjet dhe ka bërë tri postime thumbuese në rrjetin social “X”.
Në të parin, klubi i drejtohet RAE (institucionit spanjoll për gjuhën) dhe kërkon të shpjegojë dallimet mes fjalëve: presion, frikësim, influencim, imponim.
Në të dytin poston me ironi: “Ops, ndoshta duhet ta kishim pyetur në mesazh privat”.
Mesazhi i tretë ishte më i drejtpërdrejtë; një ilustrim në stilin e udhëzimeve të IKEA, ku në figurën e fundit shkruhej: “Përdor televizionin tënd zyrtar, edhe një herë tjetër, për të ushtruar presion mbi arbitrat”.
Ky ishte një sulm i hapur ndaj Real Madridit, që sipas Atletico Madridit, shpesh përdor media të afërta për të ndikuar tek vendimet arbitrale.