Azizi thirrje Rexhepit të AKI-së: Dil distancohu nga bashkëpunimi me Levicën dhe nga Blerim Bexheti e Musa Xhaferi
Adnan Azizi, shef i Shtabit qendror të VLEN tha sonte në Marshin e mbajtur në Tetovë se vazhdojnë fuqishëm më 2 nëntor, me fitoren në çdo komunë shqiptare.
“Ta dini se që nga raundi i parë, sistemi i zullumit është error, nuk funksionon. Për ju ka mbetur sonte vetëm një detyrë, që ashtu siç keni qenë gjatë këtyre muajve në fushatë, t’i ftoni gjithë dhe t’ju bëni ftesë secilit, qytetarë, anëtarë të dalin masovikisht të votojnë sepse në komunat ku garojmë fitorja është e padiskutueshme në anën tonë”, tha Azizi.
Ai tha se jemi me popullin, me moralin, familjen shqiptare, derisa andej, duke aluduar në opozitën shqiptare, “është zullumi, korrupsioni, amoraliteti, janë ata që shajnë nënat shqiptare dhe përdhosën dinjitetin shqiptar”.
Ai i bëri thirrje edhe Bajram Rexhepit të AKI-së, që të distancohet nga Levica dhe sharjet e bashkëpartiakëve të tij nga BDI.
“Dil bëhu burrë dhe distancohu nga bashkëpunimi me Levicën dhe nga sharjet që bënë Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi, përndryshe do të kesh zero vota nga tetovarët”, tha Azizi.