Bajrami: “Inteligjenca artificiale po ndryshon profesionet, arsimi duhet të reformohet urgjentisht”
Profesori universitar dhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit pranë UEJL-së, Demush Bajrami, ka theksuar nevojën urgjente për reforma në sistemin arsimor në vend, duke vlerësuar se zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë rrënjësisht tregun e punës dhe kërkesat për profesionet e së ardhmes.
Në intervistën Impakt në TV Shenja, Bajrami tha se shumë profesione tradicionale nuk do të zhduken, por do të duhet të transformohen dhe të përshtaten me realitetin e ri digjital.
“Disa profesione të vjetra, jo që po harxhohen, që kanë qenë deri më tani, por unë do thosha do të duhet të transformohen, në përputhje me digjitalizimin, në përputhje me inteligjencën artificiale. Sot bota udhëhiqet nga një algoritëm, po deshëm ta kundrojmë dhe nga këndvështrimi, nëse e marrin, nga shkenca e komunikimit, nga shkenca e medias, nëse hyjmë në këtë botë, atëherë ky komunikim masiv sot ka imponuar rrjedha, rrethana të reja që duhet domosdoshmërisht të bëhet një përshtatje. Por, krejt kjo duhet të bëhet në përputhje me ndryshimet që do të duhet të pësojë arsimi në Maqedoni. Në auditoret tona do të duhet bërë diçka që sot po ndodhë në Evropë ose edhe në Evropë sot është hap një debat i madh dhe ky diskutim lidhet me tema që kanë të bëjnë pikërisht me arsimin dhe këtu jemi për të folur pikërisht për arsimin e lartë dhe sidomos arsimi i lartë pret që të ndodhë diçka edhe në Maqedoni, le të ndjekim përvojat më të mira evropiane por, gjithmonë duke ju përshtatur specifikave tona”, tha ai.