Ballkani në ankth: kriza politike në Kosovë mund të trazojë sërish ujërat…
Nga Beth Bailey, Fox News
Shteti ballkanik i Kosovës, po përballet me një krizë kushtetuese pasi skadoi afati për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme.
Ndërsa konfliktet kanë përfshirë globin dhe po rritet presioni mbi kontingjentin e NATO-s për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor, Osmani u tha gazetarëve: “Pikërisht sepse situata gjeopolitike është kaq komplekse, është e rëndësishme të përfundohet ky proces zgjedhor. Është shumë e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhë më pas…”.
Presidenti Donald Trump e vlerësoi së fundmi presidenten e Kosovës për “punën e shkëlqyer” që po bën në vendin e saj, gjatë një fjalimi në shkurt. Osmani pranoi ftesën e Trump-it për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes në janar dhe u zotua të ofrojë burime për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Por Kosova përballet edhe me një ndryshim tjetër të mundshëm që mund të ndikojë në pozicionin e Osmanit. Flitet për një reduktim ose riorganizim të afërt të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR), i cili është prezent që nga viti 1999.
Megjithatë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, deklaroi në shkurt se SHBA-ja nuk planifikon të zvogëlojë numrin e trupave në Kosovë. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, tensionet me Serbinë mbeten të larta.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha për Fox News Digital: “Kosova ka nevojë për qeverisje dhe më pas për një kompromis për zgjedhjen e presidentit”. Ai shtoi se shpreson që Gjykata Kushtetuese do të ofrojë një zgjidhje.
Parlamenti i Kosovës është bllokuar për më shumë se një vit. Balkan Insight, raporton se zgjedhjet e shkurtit 2025 dështuan në formimin e qeverisë. Edhe zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit i dhanë fitoren partisë Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, por ajo nuk siguroi dot mbështetjen e opozitës për zgjedhjen e presidentit.
Votimi i së premtes dështoi për mungesë kuorumi, pasi 14 deputetë nuk morën pjesë. Opozita bojkotoi seancën sepse nuk mbështeti kandidatin e propozuar nga Kurti, Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Osmani u takua me udhëheqësit opozitarë, por në këtë takim Kurti zgjodhi të mos merrte pjesë. Kryeministri deklaroi: “Duhet të ketë një dështim në zgjedhjen e presidentit në raundin e tretë përpara se të shpërndahet parlamenti”. Partia e tij i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ligjshmërinë e procesit.
Sipas udhëheqësit të opozitës Ramush Haradinaj, zgjedhjet e reja mund të mbahen më 5 prill. Pandeli Majko u shpreh se nuk e sheh si problemin kryesor debatin mes partive, por theksoi se zgjedhjet e shpeshta janë një krizë rraskapitëse që nuk prodhon një zgjidhje përfundimtare. /tesheshi.com/