“Banka e Shqipërisë, pjesë integrale në procesin e integrimit në BE”, Sejko: Papunësia u reduktua me 7%!
“Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”, ishte tema e konferencës që u zhvillua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, ministri i Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministrit të Financave, Petrit Malaj si dhe të ftuar të tjerë nga institucionet e linjës.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se, Banka e Shqipërisë është pjesë integrale në procesin e integrimit të vendit në BE, në 5 kapituj.
“Banka e Shqipërisë ka një rol primar në negociatat për anëtarësim. Ne jemi pjesë integrale e grupeve të punës për pesë kapituj dhe udhëheqim dy prej tyre, Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politikat ekonomike dhe monetare”.
Sejko tha se, “procesi i integrimit nënkupton edhe një ekspozim në rritje ndaj flukseve financiare në formën e investimeve të portofolit. Këto flukse i shërbejnë zhvillimit të tregut financiar dhe reduktojnë kostot e përgjithshme të financimit në vend. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se kuadri aktual rregullator dhe ai i politikës monetare ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e tyre”.
“Së dyti”, vijoi ai, “procesi i integrimit nënkupton dhe një ekspozim në rritje ndaj ciklit financiar të Bashkimit Evropian, cikël i cili është provuar të ketë pasoja jo të vogla në tregun tonë financiar dhe në aktivitetin ekonomik.” Në këtë kontekst, prioriteti ynë do të jetë zhvillimi dhe përsosja e mëtejshme e politikës dhe e instrumenteve tona makroprudenciale, si instrumenti i duhur për mënjanimin e pasojave të padëshirueshme negative të tyre”, u shpreh Sejko.
Guvernatori tha se, sfidë do të jetë dhe sekuencimi e koordinimi i shpejtësisë së konvergjencës së kuadrit rregullator të sistemit bankar me atë të segmenteve të tjera të sistemit financiar
Duke u ndalur në zhvillimin e ekonomisë , Sejko deklaroi se, “Shqipëria e vitit 2024 ofron një realitet krejtësisht të ndryshëm ekonomik krahasuar me një dekadë më parë, kur vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim. Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur nga 10 në 24 miliardë euro, niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3500 në 9200 euro”.
Sipas tij, “inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, deficiti i llogarisë korrente është ulur nga thuajse 11% në 2% të PBB-së, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së. Paralelisht me to, sektori bankar ka shfaqur qëndrueshmëri dhe tregues financiarë në përmirësim. Kështu, raporti i kredive me probleme ka zbritur nga thuajse 23% në 4.6%, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka shënuar një nivel mesatar prej 18%, ndërkohë që sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë dhe të shfaqë nivele të larta likuiditeti dhe rentabiliteti.
Sejko deklaroi se, “ky progres i qenësishëm ka pasqyruar maturimin dhe sofistikimin në rritje të biznesit shqiptar, një kuadër politikash makroekonomike konsistent, të koordinuar dhe të orientuar drejt stabilitetit, frytet e reformave strukturore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, si dhe kontributin pozitiv të sektorit bankar”.
Guvernatori deklaroi se, në aspektin e reformave strukturore, Banka e Shqipërisë është fokusuar në dy drejtime të rëndësishme: në rritjen e qëndrueshmërinë dhe eficiencës së sistemit tonë bankar, si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, të instrumenteve të pagesave dhe të edukimit financiar.
Ai vuri në dukje, rolin pozitiv që sektori bankar ka pasur jo vetëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, por edhe në procesin e integrimit evropian, teksa theksoi se sfidat që kemi përpara lidhen me rritjen e të ardhurave; struktura demografike, ndryshimet klimatike dhe inovacionin financiar.
Konferenca do të jetë e organizuar në tre sesione, ku temat kryesore të bisedimeve do të fokusohen në hapjen e dritës jeshile dhe fillimin në muajin tetor të procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe rolin që kanë në procesin e integrimit bankat qendrore dhe sektori bankar.