Banorët e fshatit Debresh i reagojnë Taravarit: Kërkojë falje, ose do përballesh me padi!
Shoqata Debreshi, Forumi Rinor i Debreshit dhe Këshillat e Xhamive të Debreshit kanë reaguar në
rrjetet sociale pas deklaratave të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari në emisionin “Debat në Shenja”, se në protestat në Gostivar për cështjen e ujit, kishte persona përdorues të lëndëve narkotike. Ata kërkojnë nga Taravari, që të kërkojë falje publike dhe të sqarojë deklaratën e tij, ndërsa në rast se nuk ndodh kjo, atëherë do të shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së procedurave ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe reputacionit të qytetarëve të Debreshit.
Ja dhe reagimi i plotë:
DEKLARATË PUBLIKE
Shoqata Debreshi, Forumi Rinor i Debreshit dhe Këshillat e Xhamive të Debreshit shprehin shqetësimin dhe kundërshtimin e tyre të plotë ndaj deklaratës së dhënë nga ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një emision televiziv, ku ka pretenduar se në protestën paqësore për çështjen e ujit të pijshëm kanë marrë pjesë persona të lidhur me narkotikë.
Kjo është një akuzë shumë e rëndë dhe fyese ndaj qytetarëve të Debreshit, një vendbanim me mbi 6.000 banorë, të cilët për më shumë se 20 vite përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe kërkojnë zgjidhje përmes mjeteve demokratike dhe paqësore.
Kërkojmë që z. Arben Taravari të kërkojë falje publike dhe të sqarojë deklaratën e tij. Në të kundërtën, do të shqyrtojmë mundësinë e ndërmarrjes së procedurave ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe reputacionit të qytetarëve të Debreshit.
Qytetarët e Debreshit do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre për furnizim me ujë të pijshëm në mënyrë demokratike, të qetë dhe të organizuar.
Shoqata Debreshi
Forumi Rinor i Debreshit
Këshillat e Xhamive të Debreshit