Barcelona në alarm, edhe Lamine Xhamall është i lënduar
Barcelona mori një goditje të dyfishtë të dielën, kur Frenki De Jong dhe Pedri u detyruan të largohen nga loja në pjesën e parë të ndeshjes me Atletik Bilbaon, që përfundoi me barazim pa gola. Që të dy lojtarët tashmë është konfirmuar se do të jenë jashtë fushave për të paktën një muaj, ndërsa spanjolli pritet që të mungojë edhe pak më gjatë, pasi klubi nuk ka shprehur dëshirën që ta sforcojë rikthimin e tij për shkak të frikës që problemi mund të përsëritet.
Problemet e shumta me lëndime të Pedrit janë shkaktuar si pasojë e shumë ndeshjeve që kishte luajtur në vitet e para të karrierës së tij, dhe ky do të jetë një mësim i vlefshëm për Barcelonën sa i përket situatës me Lamine Xhamal, i cili tashmë është njëri ndër lojtarët e tyre më të rëndësishëm në moshën 16-vjeçare.
Përkundër kësaj, menaxhimi i minutave për talentin spanjoll është më se i nevojshëm për të evituar një situatë të ngjashme si ajo e Pedrit. Fatkeqësisht për Barcelonën, ai është duke vuajtur nga një lëndim, pasi siç raporton “Sport”, ai është duke u ballafaquar me një lëndim në gju. Ekipi mjekësor i blaugranasve është duke e trajtuar adoleshentin me shumë kujdes në mënyrë që situata të mos përkeqësohet më tej.
Kjo do të thotë se Lamine Xhamal me shumë mundësi nuk do të luajë në përballjen ndaj Majorkës të premten, pasi Barcelona dëshiron që ta ketë atë në 100 për qind për duelin e rëndësishëm ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve, që do të zhvillohet të martën e ardhshme.