
Barella refuzon Man. Siti, Interi ka gati vazhdimin e kontratës
Kur në ditët e fundit të merkatos së verës u kuptua se pista e Paquetà do të skadonte, Man. Siti trokiti zyrtarisht në derën e Interit për të kërkuar informacion mbi Nikolo Barella-n. Pep Guardiola, i cili vetëm pak javë më parë e kishte parë si kundërshtar në fushë, në finalen e Ligës së Kampionëve, do ta kishte dashur mesfushorin blu në Premier Ligë, por as ai dhe as klubi zikaltër nuk ishin të hapur për transferim. Pra, mesfushori vendosi të vazhdojë për një kohë të gjatë me fanellën e Interit.
Ky sfond transferimi, i treguar nga “Gazzetta dello Sport”, na çon drejtpërdrejt në ditët e sotme dhe në të ardhmen e zv.kapitenit të zikaltërve. Kontrata aktuale i skadon në vitin 2026, teksa klubi dhe lojtari janë të angazhuar në negociata për rinovimin edhe me tri vite të tjera, deri më 2029. Një angazhim, nga të dyja palët, për të vërtetuar dashurinë e Barella për Interin dhe anasjelltas.
Performancë e rëndësishme, zv.kapiten, titullar në kombëtare, i kërkuar nga klubet e mëdha të huaja… Në “Viale della Liberazione” e dinë se për të vazhduar për një kohë të gjatë me lojtarin e lindur më 1997 do të duhet një rrogë e denjë dhe në fakt për këtë po flitet edhe në bisedime.
Aktualisht Barella, mes pjesës fikse dhe bonusit, fiton rreth 6 milionë euro, ndërsa në marrëveshjen e re në diskutim do të arrijë në 7 milionë euro. Më të paguar se ai do të ishte vetëm Lautaro Martinez (një tjetër diskutim që vazhdon prej disa kohësh dhe me të cilin pritet të mbyllet rinovimi në kohën më të shkurtër të mundshme).