Bartësit e listave nga radhët e VLEN-it dhe AKI-së synojnë zhvillimin e Tetovës
Zhvillimi i Tetovës është ndër prioritetet e të dy bartësve të listave për këshilltarë komunal, nga radhët e koalicionit VLEN dhe AKI-së. Albi Qamili nga VLEN në fokus ka zhvillimin kulturor dhe institucionalizimin e aktiviteteve të të rinjve.
“Do jem zëri i gjithë qytetarëve në këshillin komunal, por para së gjithash do mundohem që energjinë dhe frymën rinore ta orientoj dhe ta kapitalizoj në projekte kulturore dhe arsimore. Pra misioni im jetik do të jetë që aktivitet apo Qendrën Rinore ta institucionalizoj dhe ta aktivizoj. Ashtu siç e kemi thënë, bashkë me kryetar Kasamin dhe listën tonë për këshilltarë, do t’ia japim kapitullin e dytë Tetovës, për ti dhënë hov zhvillimit”, deklaroi Albi Qamili, Bartës i listës së këshilltarëve, VLEN- Tetovë.
Ndërkohë Asaf Abdurrahmani i AKI-së fokus kryesor ka arsimin dhe sigurinë nëpër shkolla.
“Unë më së shumti do kisha dashur të luftoj për ndryshime në arsim, pra shkollat fillore e të mesme janë në gjendje të mjerueshme, kështu që duhet një monitorim i shkollave korridoreve të shkollave dhe sjellja e tyre në nivel të shkollave private do jetë prioriteti im më i madh. Arsimi do jetë pika fillestare se çdo gjë nis nga aty. Pastaj aktivitetet sociale kulturore e sportive sep0se qyteti jonë ka ngel shumë prapa”, tha Asaf Abdurahmani, Bartës i listës së këshilltarëve, AKI-Tetovë.
Bartësit e listave për këshilltarë të Komunës së Tetovës, ditëve të fundit kanë shtuar aktivitetet zgjedhore, sidomos takimet me të rinjtë. /Alsat.mk