
Basha dënohet për shpifje, detyrohet të paguajë 25 mijë euro
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe është detyruar që t’ia paguajë 25 mijë euro paditësit.
Padinë e ka fituar Mustafë Grainca, në lidhje me shkrimet që Basha i kishte bërë në media dhe në llogarinë e tij në Facebook, ku e kishte quajtur Graincën si “mafi të betonit”, duke e akuzuar për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimin në Komunën e Ferizajt.
Gjykata, në vendimin që e ka publikuar mediumi “Nacionale”, e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar padinë e Graincës ndaj Bashës.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Mustafë Grainca, e ushtruar kundër të paditurit Dimal Basha, si e bazuar”, thuhet në pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit.
Në aktgjykim thuhet se “detyrohet i padituri [Basha] që ta tërheqë shkrimin editorial të publikuar në portalin ‘Insajderi’ me datë 01.07. 2019, si dhe të tërheqë shkrimet e datave 22.07.2012, 10.09.2019, 10.01.2020, 22.01.2020 dhe 30.01.2020 të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook”.
Po ashtu, Basha detyrohet që t’i kërkojë falje paditësit në portalin ku e ka publikuar editorialin dhe në llogarinë e tij në Facebook, brenda periudhës kohore prej tetë ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e pasojave ligjore.
Kompensimin prej 25 mijë eurosh ndaj Graincës, Basha, sipas aktgjykimit, duhet ta paguajë brenda 15 ditësh, së bashku me kamatë ligjore prej 8 për qind që fillon nga data e paraqitjes së padisë më 22 korrik 2019. Po ashtu, kryeparlamentari detyrohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 2 mijë e 607 eurosh.
Gjykata po ashtu ka refuzuar kërkesën e Graincës për kompensim shtesë prej 40,000 eurosh për vuajtje shpirtërore, duke e konsideruar atë si të pabazuar.
