
Bashkimi Europian dhe Maqedonia: Martesa që nuk po ndodh
AA
Shkruan: Muhamer Pajaziti
Eurofilët dhe euroskeptikët e Ballkanit – mes ëndrrës dhe zhgënjimit
Ëndrra europiane dhe realiteti i ashpër janë dilema që vazhdojnë të mbajnë peng popujt e Ballkanit. Kjo ëndërr u përqafua gjerësisht pas luftërave dhe tranzicioneve të fillimviteve ’90, kur shumica e vendeve të rajonit e panë integrimin europian si rrugën drejt demokracisë, lirive themelore dhe braktisjes së sistemit monist.
Që atëherë, në rajon është zhvilluar një betejë e heshtur mes eurofilëve, të cilët vazhdojnë të shpresojnë në “yllin” europian, dhe euroskeptikëve, të cilët çdo ditë e më shumë dyshojnë në vullnetin e BE-së për ta pranuar Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Kjo ndarje thellohet përballë një fakti të pamohueshëm: Bashkimi Europian ende nuk ka ndërtuar një strategji të qëndrueshme dhe koherente për Ballkanin, rajon që shpesh etiketohet si “vatër krize” në hartën europiane.
Pavendosmëria e BE-së dhe taktikat diplomatike me tone simbolike, por pa rezultate konkrete, kanë prodhuar zhgënjim të madh. Në vend të një qasjeje serioze, Brukseli ka ofruar deklarata të bukura dhe premtime afatgjata, duke krijuar perceptimin e një loje politike me kosto të lartë – të cilën zakonisht e humb Ballkani, por edhe vetë BE-ja si një projekt i madh integrues.
Që nga samiti i Royaumont-it më 1996, ku u hodhën hapat e parë drejt një angazhimi më të fortë për rajonin, deri te krijimi i Procesit të Stabilizim-Asociimit më 1999, Bashkimi Europian ka qenë i pranishëm me programe, ndihma dhe investime. Megjithatë, përkundër këtyre përpjekjeve, Ballkani vazhdon të përballet me mungesë të thellë të reformave, drejtësisë funksionale, administratës efikase dhe luftës së suksesshme kundër korrupsionit.
Sot, pas dekadash përpjekjesh, rajoni ende vuan nga mungesa e një lidershipi vizionar dhe përgjegjës. Procesi i zvarritur i integrimit ka prodhuar një brez të ri euroskeptikësh, të cilët besojnë se vendet e tyre do të jenë gati për BE vetëm atëherë kur nuk do ta kenë më nevojë për të.
Sondazhi i fundit i Eurobarometrit (vjeshtë 2024) tregoi se 56% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim te Bashkimi Europian. Kjo përqindje është ndjeshëm më e lartë te qytetarët shqiptarë, të cilët besojnë se anëtarësimi në BE do t’i ndihmonte për realizimin e të drejtave të tyre dhe për konsolidimin e pozitës së tyre si qytetarë të barabartë në një shtet multietnik. Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e maqedonasve e sheh Bashkimin Europian me skepticizëm, duke e perceptuar jo vetëm si një strukturë burokratike, por edhe si një rrezik të mundshëm për identitetin kombëtar dhe pozitat e tyre tradicionale në raport me komunitetet joshumicë.
Ky skepticizëm është rritur sidomos pas vetos bullgare, e cila u shndërrua në një burim të thellë frustrimi për shoqërinë maqedonase. Kërkesat e Sofjes për ndryshime kushtetuese dhe njohje të interpretimeve të caktuara historike dhe gjuhësore janë përjetuar nga shumë maqedonas si një ndërhyrje në sovranitet dhe si shantazh etnik në rrugën drejt integrimit. Kjo ka ndikuar që retorika euroskeptike të forcohet, veçanërisht në qarqet nacionaliste.
Ndarja ndëretnike pasqyrohet qartë edhe në diskursin politik: liderët shqiptarë shfaqen hapur si pro-europianë, duke e parë BE-në si garanci për barazi dhe zhvillim; ndërsa shumë liderë maqedonas theksojnë se nuk do ta sakrifikojnë identitetin, edhe sikur kjo të jetë çmimi për anëtarësim. Në këtë klimë, BE-ja shihet nga njërën palë si shpresë, dhe nga tjetrën si kërcënim.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka ndjekur për më shumë se dy dekada rrugën europiane, duke firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) në vitin 2001, dhe duke marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2005. Që atëherë, Komisioni Europian disa herë ka dhënë rekomandime pozitive për fillimin e negociatave për anëtarësim, por këto nuk janë konkretizuar, për shkak të problemeve të brendshme politike dhe, sidomos, për bllokadave të vazhdueshme nga jashtë, fillimisht nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria. Si rrjedhojë, procesi është kthyer në një pritje të pafundme dhe zhgënjyese. Për shumë qytetarë, integrimi europian duket gjithnjë e më shumë si “martesë e paralajmëruar që nuk po ndodh kurrë”.
Kosovarët dhe pro-amerikanizmi: Dashuria e vetme konstante
Në Kosovë, perceptimi është i ndryshëm. Shtetasit kosovarë njihen për afërsinë e tyre të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një afërsi që buron nga roli historik i SHBA-së në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sipas sondazheve, shqiptarët e Kosovës janë ndër popujt më pro-amerikanë në botë.
Në të kundërt, perceptimi ndaj Bashkimit Europian është më i ftohtë, ndonëse edhe këtu përqindja është më e lartë se në Maqedoni dhe shkon rreth 80 për qind. Kjo ndodh për disa arsye: pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa institucionet e BE-së shpesh janë treguar të pasigurta dhe të paqarta në mbështetjen e tyre. Reagimet ndaj intervenimeve të institucioneve kosovare në veri të vendit, të cilat kishin për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit, janë parë si dëshmi e mungesës së përkrahjes së fuqishme nga ana e BE-së. Për shumë kosovarë, Europa vazhdon të përkëdhelë Beogradin, në vend se të mbështesë fuqimisht Prishtinën. Mbase me zgjedhjen e lidershipit të ri evropian, kjo qasje mund të ndryshoj.
Europianizimi – përfitime dhe sfida
Për të kuptuar më mirë dilemat e sotme, mjafton të shohim përvojën e vendeve që u anëtarësuan në BE në vitet 2004–2007. Shumica e këtyre vendeve përfituan dukshëm në fusha si ekonomia, tregu i punës, investimet e huaja, liria e lëvizjes dhe përmirësimi i standardeve të jetesës. Shtete si Sllovenia dhe Qipro madje tejkaluan disa vende të vjetra anëtare për nga GDP-ja.
Por jo të gjitha vendet shfrytëzuan njësoj mundësitë e BE-së. Edhe pse indikatorët ekonomikë janë të rëndësishëm, integrimi europian solli edhe transformime sociale, politike dhe arsimore që ndikuan pozitivisht në zhvillimin e shteteve të reja.
Megjithatë, sfidat e brendshme të BE-së – si krizat e brendshme ekonomike, mungesa e reformave institucionale dhe rritja e forcave populiste – kanë ushqyer euroskepticizmin edhe brenda vetë bllokut. Besimi në institucionet europiane është në rënie dhe nevoja për reformim të traktateve dhe për një disiplinë më të fortë fiskale është bërë më urgjente se kurrë. (INA)