
BDI alarmon: Maqedonia e Veriut po përballet me ofensivën e “Botës Serbe”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka alarmuar opinionin publik për, siç thotë, një ofensivë të hapur të projektit famëkeq të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut.
“Ky projekt po manifestohet gjithnjë e më shpesh në mënyrë zyrtare, me praninë dhe, fatkeqësisht, me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit tonë,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia kujton se pas festimeve në Manastir, ku delegacioni i lartë i Serbisë, bashkë me ministra dhe zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, “nën petkun e ‘Frontit të Selanikut’ kremtuan pushtimin serb të territoreve tona”, më 7 shtator 2025 në Kajmakçallan është dëgjuar edhe një deklaratë e re skandaloze nga ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç.
“Gashiç foli për ‘rrugën e lirisë’ dhe ‘kthimin në atdhe’ të ushtrisë serbe në tokën e Maqedonisë. Pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si ‘Republika e tretë serbe’,” thekson BDI.
Sipas kësaj partie, “kjo është e papranueshme” dhe paraqet “kërcënim direkt ndaj identitetit, stabilitetit shtetëror dhe orientimit euroatlantik të vendit”.
“BDI thekson qartë: projekti i ‘Botës Serbe’ është armiqësor për Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Ohrit, kohezioni multietnik dhe rruga jonë e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian janë garancia jonë e vetme për një të ardhme të sigurt. Çdo tentativë për t’i minuar këto vlera do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur, pa kompromis,” nënvizohet më tej.
Partia e Ali Ahmetit mbyll reagimin me një mesazh të prerë:
“Maqedonia e Veriut nuk është, dhe kurrë nuk do të bëhet ‘Republika e tretë serbe’!”