
BDI denoncon: Nipi i Zeqirija Ibrahimit, i vetmi shqiptar i pranuar në konkursin skandaloz të ARM-së
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj procesit të fundit të përzgjedhjes së kandidatëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup, duke e cilësuar atë si një rast flagrant të diskriminimit etnik dhe nepotizmit politik.
Sipas BDI-së, nga 74 kandidatët e pranuar, vetëm 1 është shqiptar, pikërisht Jasir Ibrahimi, nip i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ndërsa 71 janë maqedonas dhe 2 romë.
“Kjo përzgjedhje selektive ka ndodhur pavarësisht faktit se dhjetëra të rinj shqiptarë të diplomuar kishin aplikuar në konkursin e shpallur në maj, por të gjithë, përveç një familjari të një funksionari të lartë partiak në pushtet, janë eliminuar gjatë testit psikologjik apo fizik,” thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
“Vetëm nepotizmi kalon ‘testin’, jo aftësia, jo përgatitja.”
Partia shqiptare në pushtet e cilëson këtë si një goditje të rëndë ndaj besimit të të rinjve shqiptarë në institucionet shtetërore, dhe kërkon që ky rast të trajtohet si pjesë e një tendence sistematike për përjashtimin e shqiptarëve nga strukturat e sigurisë.
“Procesi i selektimit në Akademinë Ushtarake, ku nga 74 të pranuarit vetëm 1 është shqiptar, përbën një shkelje flagrante të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të garantuar me Kushtetutë dhe ligj,” thekson më tej BDI.
Në deklaratën e saj, partia nënvizon edhe paradoksin në shpalljen zyrtare të konkursit, ku ishte paralajmëruar përfaqësim i barabartë i komuniteteve:
“Në kulmin e ironisë, në shpalljen zyrtare thuhej se ‘do t’i kushtohet vëmendje përfaqësimit të barabartë të komuniteteve’. Por ajo që ndodhi është e kundërta: përfaqësimi është inekzistent, barazia është zero, ndërsa konkurrenca është e manipuluar.”
BDI i bën thirrje opinionit publik, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të mos e konsiderojnë këtë si një rast të izoluar, por si pjesë të një politike të qëllimshme për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet e shtetit, në këtë rast konkret nga Armata dhe Ministria e Mbrojtjes.
“BDI nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe nuk do të lejojë që të rinjtë shqiptarë të përjashtohen, ndërsa familjarët e pushtetarëve të rreshtohen në institucione me favore politike,” përfundon reagimi. Flaka
The post BDI denoncon: Nipi i Zeqirija Ibrahimit, i vetmi shqiptar i pranuar në konkursin skandaloz të ARM-së appeared first on Flaka, në çdo lajm… .