BDI: Dy vjet e vonuan, sot lavdërohen me projektin tonë Shkup – Bllacë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar qeverinë aktuale për vonesa në realizimin e autostradës Shkup–Bllacë, duke theksuar se projekti është ideuar, projektuar dhe siguruar financiarisht gjatë mandatit të qeverive ku kjo parti ishte pjesë.
Në një reagim publik, BDI deklaron se qeveria e kaluar ka përfunduar segmentin e parë prej 2 kilometrash të autostradës, por sipas tyre, ai ende nuk është lëshuar në përdorim edhe pas dy vitesh. Partia pretendon se ndërtimi i 10.8 kilometrave të mbetura është vonuar për shkak të bllokadave dhe mosveprimit të institucioneve aktuale.
Sipas BDI-së, projekti për vazhdimin e autostradës deri te qarkorja e Shkupit është përgatitur në bashkëpunim me kompaninë amerikane Hill International, ndërsa financimi është siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Nga partia opozitare thonë se gjatë mandatit të tyre është shpallur edhe thirrja për ndërtimin e autostradës, në të cilën kanë aplikuar 11 kompani, ndërsa qeveria aktuale, sipas tyre, ka pasur për detyrë vetëm përzgjedhjen e realizuesit të projektit.
BDI gjithashtu akuzon qeverinë për, siç thotë, deklarata kontradiktore lidhur me projektin, duke përmendur çështje që kanë të bëjnë me shpronësimet, ndryshimin e trasesë dhe profilin e rrugës.
Në reagimin e saj, BDI rikujton edhe një sërë projektesh infrastrukturore që, sipas partisë, janë realizuar ose nisur gjatë qeverisjes së saj, përfshirë Korridorin 8, Korridorin 10-D, autostradën Shkup–Bllacë, Rrugën e Arbërit, qarkoren e Tetovës dhe projektet “One Stop Shop” në kufijtë me Kosovën dhe Shqipërinë.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur reagim nga qeveria lidhur me këto pretendime të BDI-së.