
BDI: Fushata e VLEN-it për lojërat e fatit është mashtrim publik
AA
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj fushatës së VLEN-it për çështjen e lojërave të fatit, duke e cilësuar atë si mashtruese dhe të motivuar politikisht, për të fshehur përgjegjësinë reale për rritjen alarmante të industrisë së bixhozit në vend.
“VLEN është zëshëm vetëm aty ku fshihet një mashtrim. E njëjta ndodhi edhe me lojërat e fatit. Deputetët e tyre kanë refuzuar hapur ligjin për mbylljen totale të kazinove dhe bastoreve, por edhe iniciativat për kontroll të shtuar shtetëror dhe dislokimin e tyre nga afërsia me shkollat dhe objektet fetare”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, në vend që të ndërmerreshin hapa konkretë për të frenuar përhapjen e bixhozit, sot po shohim efektin e kundërt – industria e kazinove dhe bastoreve po lulëzon, ndërsa asnjë njësi nuk është mbyllur.
“VLEN po tenton ta paraqesë mbylljen e disa faqeve online – që është iniciuar nga qeveria e kaluar – si sukses të vetin, duke fshehur faktin se në terren është rritur numri i bastoreve dhe kazinove, si dhe bixhozi online”, thekson më tej reagimi.
BDI akuzon VLEN-in për lidhje direkte me interesat e industrisë së bixhozit përmes pozitave të shpërndara nga VMRO.
“VLEN-it i mbyllet goja me “ashtin” e hedhur nga VMRO për Izet Mexhitin, si marrjen e zëvendësdrejtorit nga ana e tij apo të drejtorit në Lotari (Lirie Elmazi), si dhe të anëtarëve në bordet drejtuese. Ky ligj i ri që VLEN e paraqet si arritje, është në fakt shumë më i dobët se ai që vetë e rrëzuan më parë. Ai nuk ndalon, por përkundrazi e legalizon më tej bixhozin, në shërbim të interesave të industrisë”, përfundon reagimi i BDI-së.
Sipas BDI-së, “VLEN e solli zërin e shqiptarëve nga hero në zero – për interesa personale dhe pozita politike”.(INA)