BDI: Gjuha e Stojançe Angellovit shkel mbi plagët e vitit 2001 dhe flet për një mendësi të rrezikshme
BDI e konsideron të papranueshme deklaratën e Stojançe Angellovit se “në vitin 2001 e sulmonim me tanke, ndërsa sot e mbrojmë me avionë”, duke iu referuar Nikushtakut dhe komunës së Likovës.
Në vitin 2001, tanket nuk sulmonin thjesht terrene apo objekte – ato sulmonin vendbanime dhe qytetarë të këtij shteti. Pas 25 vitesh, përdorimi i një gjuhe të tillë ndaj atyre ngjarjeve është një goditje mbi plagët që ende nuk janë shëruar plotësisht.
Marrëveshja e Ohrit i dha fund logjikës së konfliktit dhe vendosi një parim të qartë: shteti duhet t’i mbrojë të gjithë qytetarët e tij, pa dallim etnie, gjuhe apo vendbanimi.
Sot është mirë që shteti po e mbron Nikushtakun nga zjarret. Por është edhe më e rëndësishme që të kuptohet se Nikushtaku, Likova, Tetova, Shkupi dhe çdo vendbanim tjetër janë pjesë e barabartë e këtij shteti dhe qytetarët e tyre meritojnë të njëjtin respekt, mbrojtje dhe dinjitet.
Ajo që duhet të shuhet njëherë e përgjithmonë nuk është vetëm zjarri në male, por edhe gjuha e urrejtjes dhe mendësia që qytetarët i ndan në “ne” dhe “ata”.
Marrëveshja e Ohrit nuk është kërcënim për Maqedoninë e Veriut. Ajo është garancia që logjika e tankeve të së kaluarës të mos kthehet kurrë më mes qytetarëve të saj.
