BDI: Kasami harron flamurin shqiptar, në mes të Tetovës vendoset flamuri i Verginës
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon përgjegjësi institucionale për Bilall Kasamin, pasi sipas tyre, ai në shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tetovë ka zgjedhur të vendosë flamurin e Verginës, ndërsa ka lënë jashtë flamurin kombëtar shqiptar.
“Kjo nuk është çështje protokolli, por një tregues i qartë i qasjes së pushtetit ndaj simbolit kombëtar shqiptar.VLEN në programin e tij zgjedhor premtoi se flamuri, himni dhe stema kombëtare shqiptare do të përdoren njëjtë me simbolet maqedonase. Por sapo u futën në Qeveri pa legjitimitet nga vota shqiptare, premtimet u harruan”.
“Fillimisht, Maksim Dimitrievski e ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në zyrën e tyre; më pas pamë ministra që shmangnin praninë e tij në fotografitë zyrtare, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore lokale flamuri shqiptar mungonte pikërisht aty ku duhej të ishte më i dukshëm. Tani, në një festë shtetërore, kur përdorimi i tij parashihet me ligj, flamuri shqiptar sërish mungon”.
“Kulmi i kësaj hipokrizie është se, deri sa flamuri kombëtar shqiptar lihet jashtë, në mes të Tetovës vendoset flamuri i Verginës, një simbol që nuk është simbol zyrtar i shtetit dhe është në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës. Pra, për ata që premtonin barazi të simboleve kombëtare, flamuri shqiptar nuk paska vend, ndërsa një simbol i painstitucionalizuar paska vend në një ceremoni shtetërore. Kjo flet më shumë se çdo deklaratë për politikën e tyre të sotme”, thonë nga BDI.
BDI kërkon që organet kompetente të verifikojnë bazën ligjore të këtij veprimi dhe përgjegjësinë e personave që kanë urdhëruar, autorizuar apo realizuar vendosjen e flamurit të Verginës, si dhe të sqarojnë pse është lënë jashtë flamuri shqiptar.
“Ligjet nuk mund të zbatohen në mënyrë selektive dhe premtimet për barazi nuk mund të përdoren vetëm për të marrë votën e shqiptarëve. Kasami mund të bëjë kompromise politike për të mbajtur edhe një ditë më shumë postin, por nuk mund ta shesë dinjitetin dhe simbolin kombëtar shqiptar. 35-vjetori i pavarësisë duhet të jetë ditë e respektimit të shtetit, ligjit dhe barazisë, jo ditë e turpërimit dhe mohimit të simbolit shqiptar”, thonë nga BDI.