BDI: Kërkojmë hetim për pasurinë e padeklaruar të drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama
Nga BDI në një komunikatë për media, kanë kërkuar që të hapet çështja e pasurisë së drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama, i cili sipas tyre është dora e djathtë e kryetarit të VLEN-it Izet Mexhiti.
Sipas tyre, Rama, për më shumë se katër muaj nuk ka dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
“Nuk ka deklaruar asgjë, ndërsa posedon shumë. Kjo është shkelje serioze e detyrimeve për transparencë që i ka çdo funksionar. Kur një drejtor i një kompanie shtetërore për muaj të tërë nuk deklaron pasurinë, hapet dyshimi i bazuar për fshehje interesash, ndikimesh dhe konflikt të mundshëm interesi. KSHPK-ja nuk ka të drejtë të heshtë -duhet menjëherë të hapë lëndë të dytë dhe hetim të plotë për pasurinë e padeklaruar të Nedim Ramës. Sepse tani më ekziston një lëndë, por ende pa epilog.
Lënda e parë e KSHPK-së ka të bëjë pikërisht me Nedim Ramën, hotelierin nga Çairi, siç e quanin mediat, pasi u zbulua se lounge-bar “1SH”, i menaxhuar përmes kompanisë “Near 2015”, pronarë të së cilës kanë qenë Nedim Rama dhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka marrë pagesa nga Komuna e Çairit për reprezentacion.
E gjithë kjo ka ndodhur në periudhën kur Kaltrina Zekolli Shaqiri ushtronte funksionin e zëvendësministres, ndërsa Nedim Rama ishte këshilltar i posaçëm për financa në kabinetin e Izet Mexhitit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Ata kërkojmë hetim urgjent të pasurisë së Nedim Ramës, duke shtuar se drejtësia nuk guxon të ndalet para dyerve të funksionarëve.
“Nëse funksionarët nuk kanë çfarë të fshehin, atëherë le ta deklarojnë pasurinë e tyre. Institucionet duhet të tregojnë se ligji vlen për të gjithë – edhe për njerëzit më të afërt të pushtetit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.