BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Izet Mexhitit, Mickoski e mban në kontroll me një dosje 320 faqesh!
Nga BDI në një komunikatë për media thonë se nga burime kredibile kryeministri Hristijan Mickovski e mban Izet Mexhitin nën kontroll të plotë përmes një dosjeje gjyqësore prej 320 faqesh, e cila, sipas tyre dokumenton shkeljet flagrante të ligjit në fushën e ndërtimtarisë ilegale në Çair, shkelje që kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin komunal në vlerë prej 72 milionë eurove.
“Kjo situatë nuk është vetëm skandal juridik,është skandal politik i rendit të parë.
Faktet tregojnë qartë se dosja e prokurorisë nuk po përdoret si mjet drejtësie, por si levë presioni mbi kreun e komunës Çair.
Mexhiti, i rrethuar nga kjo shpatë e Damokleut, vazhdon të qëndrojë në pozitën e tij, duke e vendosur interesin personal mbi interesin e popullit shqiptar dhe qytetarëve të Çairit.
BDI thekson se 72 milionë euro dëm ndaj buxhetit komunal nuk janë shifër abstrakte, janë spitale të pakrijuara, rrugë të paasfaltuara, kopshte dhe shkolla që nuk janë ndërtuar, dhe qytetarë të varfëruar nga një menaxhim i papërgjegjshëm dhe i dyshimtë.
Çdo ditë që Mexhiti qëndron në post, është edhe një ditë më shumë që populli shqiptar në Çair mban peshën e gabimeve të tij.
Ne refuzojmë të pranojmë idenë se një individ dhe çështjet e tij personale juridike mund të mbajnë peng të gjithë çështjen shqiptare.
Mexhiti nuk ka të drejtë t’i ekspozojë qytetarët e Çairit ndaj pasojave politike të manipulimeve të tij.
Ai ka pasur mundësi të mbrojë veten por jo duke u fshehur pas mandatit të tij dhe pas komunitetit tonë.
Për këto arsye, BDI dega Çair kërkon qëmenjëherë: Izet Mexhiti të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komunës Çair, dhe të ballafaqohet individualisht me akuzat juridike ndaj tij, siç kërkon çdo standard elementar i demokracisë dhe i qeverisjes së ndershme.
Drejtësia nuk është e negociueshme.
Populli shqiptar në Çair meriton udhëheqës që i shërbejnë komunitetit me integritet, jo individë që e përdorin mandatin si mburojë personale ndaj ligjit.
BDI do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve dhe do të luftojë për llogaridhënie të plotë për çdo euro të dëmtuar të buxhetit të Çairit.
BDI u bën thirrje të gjitha forcave politike, institucioneve dhe opinionit publik të ngrihen bashkë në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe të drejtësisë.
Heshtja dhe mosveprimi janë bashkëfajësi.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.