BDI kërkon llogari: Nga erdhën paratë për aksionet e Nedim Ramës në Mercedes-Benz?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit verifikimin e burimit të mjeteve me të cilat, sipas deklarimit të pasurisë, drejtori i NOMAGAS-it, Nedim Rama, ka fituar aksione në kompani të huaja.
Në reagimin e saj, BDI ngre pikëpyetje lidhur me deklarimin e aksioneve në kompaninë gjermane Mercedes-Benz Group AG dhe në kompani të tjera ndërkombëtare. Sipas BDI-së, në deklaratën e pasurisë së Ramës figuron se këto pjesëmarrje janë fituar më 22 prill 2026, në kohën kur ai tashmë ishte në krye të NOMAGAS-it.
Partia kërkon që të sqarohet se sa ka investuar Rama në aksionet e Mercedes-Benz Group AG, nga cila llogari janë transferuar mjetet dhe cili ka qenë burimi i kapitalit të përdorur për investimet.
“Me çfarë parash Nedim Rama bleu aksione në kompani të huaja gjatë mandatit të tij si drejtor?”, pyet BDI, duke kërkuar gjithashtu verifikimin nëse investimet janë deklaruar brenda afatit ligjor dhe nëse ekzistojnë investime të tjera jashtë vendit që nuk janë bërë publike.
BDI e lidh çështjen me përgjegjësinë e Ramës si drejtues i një kompanie shtetërore me rëndësi strategjike dhe kërkon nga Antikorrupsioni të verifikojë datën e blerjes, vlerën e investimeve, burimin e mjeteve dhe kohën e deklarimit të tyre.
“Çdo rritje e konsiderueshme e pasurisë së një funksionari publik gjatë ushtrimit të mandatit duhet të jetë plotësisht e shpjegueshme”, thuhet në reagim.
Në reagim nuk paraqiten prova se investimet janë financuar nga burime të paligjshme. Pyetjet e ngritura nga BDI mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente dhe për t’u adresuar nga vetë Nedim Rama.
BDI kërkon që Rama të japë sqarime publike mbi burimin e parave të përdorura për blerjen e aksioneve dhe që institucionet kundër korrupsionit të kryejnë verifikimet përkatëse.
