
BDI kritikon ministrin Mexhti për papërgjegjësi gjatë katastrofës ekologjike në Shkup
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të thellë për katastrofën ekologjike që goditi kryeqytetin pas shpërthimit të flakëve në Trubarevë, duke akuzuar ministrin e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhti, për mungesë përgjegjësie.
“Në momentet kur Shkupi u mbulua nga re toksike me erë plastike, goma dhe bateri të djegura, qytetarët prisnin informata, rekomandime dhe apel për mbrojtje. Por Mexhti nuk doli para opinionit, nuk mori masa dhe nuk ofroi zgjidhje. Për të, më e rëndësishme ishte të shfaqej në aktivitete partiake, sikur asgjë të mos kishte ndodhur,” theksojnë nga BDI.
Sipas partisë, ministria që udhëhiqet nga Mexhti ka kompetencë të japë leje dhe të kontrollojë objektet, por ai ka shmangur përgjegjësinë dhe ka tentuar të akuzojë “fajtorë kujdestarë” brenda BDI-së.
“Qeveria dhe Mexhti duhet të përballen me përgjegjësinë e tyre, të zbardhin rastet e zjarrvënieve dhe të lokalizojnë përgjegjësinë aty ku realisht qëndron – qoftë kjo edhe paaftësia e institucioneve që ata drejtojnë. Shpifjet dhe akuzat pa bazë nuk i shpëtojnë nga dështimi,” shtojnë nga BDI.
Partia kujton se modeli i papërgjegjësisë nuk është i ri, duke u referuar tek periudha e dy dekadave të fundit në Çair, ku sipas saj, Mexhti la pas kaos urban, ndotje dhe neglizhencë.
“Qytetarët tashmë e kanë kuptuar. Më 19 tetor, Çairi dhe gjithë vendi do t’i japin fund politikës së papërgjegjësisë, neglizhencës dhe egoizmit, sepse ka ardhur koha për lidership që mbron shëndetin dhe dinjitetin e njerëzve,” përfundon deklarata e BDI-së.