
BDI: Marrëveshja e Ohrit nën sulm, Qeveria e izoluar, Stoilkoviçi fytyra e VLEN-it
Shënimi i 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nga qeveria aktuale ka nxjerrë në pah, sipas BDI-së, një ironi të hidhur.
“Personi që historikisht ka mohuar Marrëveshjen e Ohrit, Ivan Stoilkoviç, sot ka kompetencë ligjore mbi zbatimin e saj. Rezultatet janë të dukshme: çdo ditë kjo marrëveshje sulmohet dhe përpjekjet për ta zbatuar sabotohet nga brenda institucioneve”, thekson partia.
Në vend që kjo ditë historike të shënohej si triumf i paqes dhe i barazisë, BDI vlerëson se u shndërrua në një skenë politike të VMRO-së dhe aleatëve të saj.
“Marrëveshja u përmend si çështje e mbyllur, vetëm për të relativizuar vlerën e saj”, vijon reagimi.
Partia thekson se edhe mungesa e plotë e përfaqësuesve ndërkombëtarë ishte një sinjal alarmues.
“Për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, kjo ditë kaloi pa praninë e miqve tanë strategjikë nga SHBA dhe BE. Kjo nuk është rastësi, është tregues i izolimit të plotë të kësaj qeverie, e cila ka braktisur kursin euroatlantik për të ndërtuar aleanca të rrezikshme me Serbinë dhe Rusinë. ‘Dimri i vetmisë së madhe’ për qeverinë është fakt, jo metaforë”, thuhet në deklaratë.
Sipas BDI-së, simbol i këtij izolimi ishte edhe koncerti i mbrëmshëm i organizuar nga VLEN me tenorin me renome botërore Rame Lahaj.
“Në vend që të kthehej në një ngjarje kombëtare si dikur, u zhvillua në një sallë të vogël, pa praninë e ambasadorëve, pa krerë shtetesh shqiptare, pa asnjë personalitet serioz diplomatik. Nga një përvjetor që dikur bashkonte miqtë më të fuqishëm të Maqedonisë së Veriut, kemi rënë në një festë private të shëmtuar, ku i vetmi mik i mbetur besnik është Stoilkoviçi – simbol i qartë i rënies dhe izolimit të kësaj qeverie”, akuzon partia.
BDI riafirmon se Marrëveshja e Ohrit “nuk është vetëm dokument historik, është themeli i paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të vendit”.
“Çdo përpjekje për ta mohuar ose për ta minuar është sulm ndaj barazisë së qytetarëve dhe të ardhmes së Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët dhe aleatët tanë strategjikë nuk do ta lejojnë kurrë këtë”, përfundon reagimi. Flaka Media