
BDI miraton tre kandidatura tjera për zgjedhjet lokale
AA
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka miratuar tre kandidatura për kryetarë komune dhe ka shpallur mobilizimin kombëtar për fitoren plebishitare më 19 tetor.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, konvokoi sot mbledhjen e 23-të të Kryesisë Qendrore, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike, mobilizimin e Aleancës Kombëtare për Integrim dhe përgatitjet për referendumin e 19 tetorit.
Në këtë mbledhje, me unanimitet të plotë, u miratuan kandidatët e rinj për kryetarë komune:
• Dollnen – Flamur Gjoleka
• Plasnicë – Ali Jaoski
• Butel – Isamedin Azizi
BDI po finalizon përzgjedhjen e të gjitha kandidatëve të Aleancës Kombëtare për Integrim që do të garojnë në zgjedhjet lokale. Partia e konsideron referendumin e 19 tetorit një moment historik për popullin dhe një mundësi për rikthimin e dinjitetit në shtet.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me mbështetjen nga tërë anët dhe me mobilizimin e përgjithshëm – të gjithë në këmbë për dinjitet, të gjithë në këmbë për fitoren tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e partisë.(INA)