
BDI: Nga Balancuesi te Badenteri, plani për ta rrënuar rendin kushtetues
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj qeverisë aktuale, duke e cilësuar si qeverinë më anti-Marrëveshjes së Ohrit dhe më anti-integrimit europian që ka pasur ndonjëherë Maqedonia e Veriut.
“Maqedonia e Veriut nuk ka pasur kurrë një qeveri më anti-Marrëveshjes së Ohrit, më anti-integrimit europian dhe më nën diktatin e botës serbe sesa kjo që po udhëheq sot vendin,” – thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se qëndrimet publike të përfaqësuesve të qeverisë kundër Marrëveshjes së Ohrit tashmë janë kthyer në praktikë.
“Të thuash se ‘është koha për shfuqizimin e shumicës së Badinterit’, një nga shtyllat kryesore të rendit kushtetues të vendit, nuk është rastësi,” – nënvizojnë nga BDI.
Sipas tyre, qeveria ka një agjendë sistematike për të sulmuar Marrëveshjen e Ohrit, duke filluar nga anulimi i Balancuesit, mosrespektimi i përfaqësimit të drejtë, moszbatimi i ligjit për gjuhën shqipe dhe madje përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për ta çuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
“Në këto momente, edhe pse kemi ligj për përdorimin e gjuhëve, mbi 100 institucione flasin vetëm në një gjuhë,” – akuzon BDI.
Një ndër kritikat më të forta është edhe ulja e numrit të këshilltarëve në komuna, për të cilën BDI thotë se bie ndesh me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në fillim nuk respektuan vullnetin politik të shqiptarëve, i zgjodhën ata që shqiptarët i refuzuan. Më pas ndaluan përdorimin e flamurit kombëtar nga zyrtarët shtetërorë. E radhës ishte gjuha shqipe. Pas kësaj sulmuan mekanizmin mbrojtës të përfaqësimit të drejtë dhe hoqën balancuesin. Tani po lexojmë se si duan të heqin edhe votimin me ‘Badenter’,” – thuhet në reagimin e BDI-së.
Në fund, kjo parti akuzon edhe një pjesë të shqiptarëve që janë bërë pjesë e qeverisë aktuale.
“Ky plan po realizohet sepse ata gjetën disa shqiptarë, që për një post janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka që ka vlerë për shtetin multietnik dhe unitar,” – thekson BDI.
BDI paralajmëron se më 19 tetor qytetarët do të japin përgjigjen e tyre përmes referendumit popullor.
“Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron,” – përfundon reagimi. Flaka Media