
BDI: Pse hesht Prokuroria për skandalin e ndërtimeve pa leje në Çair?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) zhvilloi një konferencë për shtyp para Prokurorisë Publike në Shkup, të udhëhequr nga Besarta Alija, ku akuzoi institucionet për mosveprim ndaj, siç i quajnë ata, “çiftit më të korruptuar në shtet” – Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu.
Alija kujtoi opinionin se kanë kaluar muaj që kur kryetarja e Shkupit ka dorëzuar kallëzime penale kundër dyshuarve, për qindra ndërtime pa leje, dokumentacion të falsifikuar dhe manipulime me pagesat e taksave komunale, por megjithë mijëra dëshmi, Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret. “Kush e ka urdhëruar heshtjen e Prokurorisë? Pse po shtyhet drejtësia?”, pyeti Alija, duke shtuar se ekziston dyshim serioz për pazare politike: “A është Izet Mexhiti peng i Hristijan Mickoskit? A është dosja për krimin e tij mjet shantazhi, ndërkohë që Mexhiti në këmbim hesht për projektin e ‘Botës Serbe’ në Maqedoni?”
BDI vlerësoi se bëhet fjalë për “tradhti të dyfishtë, tradhti ndaj ligjit dhe tradhti ndaj shqiptarëve”. Alija shtoi se shqiptarët nuk meritojnë një lider që shet votën e tyre për të shpëtuar veten nga kallëzimet penale dhe paralajmëroi: “Më 19 tetor, dita e referendumit të shqiptarëve, populli i Çairit do të japë verdiktin. Drejtësia mund të heshtë sot, por atë ditë do të flasë me zë të lartë. Dhe fjala e popullit është më e fortë se çdo shantazh, dosje apo marrëveshje e fshehtë.”