
BDI: Reagimi i Jehona Ajdinit i konfirmon dyshimet, Prokuroria të hapë hetim për ndikimin e Izet Mexhitit
Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se dje alarmoi për një rast që cilësohet si skandal i paparë: një projekt prej 18 mijë eurosh është ndarë për Jehona Ajdinin, partneren e punonjësit të kabinetit të Izet Mexhitit, transmeton Flaka
Sipas BDI-së, kjo përbën një tregues serioz se dyshimet për nepotizëm dhe ndikim politik janë të bazuara. Në reagimin e saj, Jehona Ajdini pranon se tri vite me radhë ka aplikuar pa sukses, ndërsa pikërisht tani, kur partneri i saj është pjesë e rrethit më të ngushtë të Mexhitit, ajo përfiton mjete nga buxheti i shtetit.
BDI ka ngritur pyetje thelbësore:
- A kanë të rinjtë artistë shqiptarë pa përkrahje partiake të njëjtën mundësi?
- Pse regjisorë me përvojë dhe projekte serioze u refuzuan pa arsyetim, ndërkohë që partnerja e njërit prej njerëzve më të afërt të Mexhitit përfiton fonde?
- A është shndërruar Agjencia e Filmit në filial privat të VLEN-it dhe elitave partiake?
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon:
- Hetim të menjëhershëm nga Prokuroria për keqpërdorimet dhe ndikimet mbi Agjencinë e Filmit.
- Publikim të të gjitha kritereve, pikëzimeve dhe arsyetimeve të komisionit për ndarjen e mjeteve.
- Përgjegjësi për ata që e kanë shndërruar kulturën në pronë partiake të njerëzve të afërt me Izet Mexhitin.
BDI thekson se ky nuk është sulm ndaj artistëve të rinj, por mbrojtje e barazisë së mundësive, profesionalizmit dhe kulturës si vlerë që i takon të gjithë qytetarëve. Partia paralajmëron se do të vazhdojë ta mbrojë kulturën nga keqpërdorimet partiake dhe kërkon që drejtësia të dalë në pah.