
BDI: Rikthimi te vlerat e UÇK-së – bashkëluftëtarët nga Kumanova mbështesin Ali Ahmetin
Në selinë qendrore të BDI-së në Shkup, u mbajt sot një takim simbolik mes bashkëluftëtarëve të lirisë nga Kumanova dhe përfaqësuesve të gjeneratës së re, për të rikujtuar rrënjët e sakrificës dhe rezistencës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në fjalën e tij, Sefedin Rexhepi, kryeshef i batalionit të brigadës 113 për logjistikë gjatë luftës, theksoi rëndësinë e kthimit te gjeneza e lirisë dhe misioni i udhëheqësit të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Rikthimi te gjeneza e lirisë, te BDI-ja dhe misioni i liderit Ali Ahmeti, është akt i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit kombëtar dhe forcimin e themeleve të ardhmërisë,” deklaroi Rexhepi.
Në takim morën pjesë edhe shumë të rinj, për të cilët u tha se përfaqësojnë dëshminë më të gjallë të vazhdimësisë së idealit kombëtar.
“Prania e të rinjve është dëshmia më e fortë se ideali i kombit nuk shuhet, e as nuk blihet apo shitet – përkundrazi, ai vazhdon të jetojë si frymëzim dhe obligim për brezat që vijnë,” u theksua në njoftimin e partisë.
Besë dhe unitet: “Sakrifica e djeshme, garanci e së ardhmes”
Pas mbledhjes në selinë qendrore, pjesëmarrësit vazhduan takimin në konakun e Abedin Zharkut – Bablokut, ku – sipas përfaqësuesve të BDI-së – “u vulos besa dhe respekti që na lidh brez pas brezi”.
“Ky është një mesazh i qartë politik: sakrifica e djeshme është garanci e së ardhmes. Pikërisht për këtë arsye, bashkëluftëtarët u larguan nga mashtrimet e VLEN-it, nga politika e zbrazët dhe interesat e ngushta të atyre që shesin idealin për karrige,” thuhet në deklaratë.
BDI akuzon rivalët politikë për devijim nga rruga e idealeve të luftës dhe thekson se qëndrueshmëria dhe ideali kombëtar mbeten të paprekshëm në gjirin e partisë.
“Ata u rikthyen aty ku gjaku i dëshmorëve nuk përdhoset dhe ku ideali kombëtar qëndron mbi çdo interes personal,” vijon komunikata.
Në përmbyllje, BDI e cilëson unitetin rreth saj si “garancia më e fortë” për ruajtjen e trashëgimisë së luftës dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
“Uniteti rreth BDI-së është garancia më e fortë se sakrifica e bërë nuk do të tjetërsohet, por do të mbetet themel i fuqishëm i së ardhmes sonë të përbashkët,” përfundon deklarata.