BDI: Shqiptarët gjithkund të përjashtuar, VLEN hesht
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç pretendon, trajtimit të shqiptarëve në organizimet shtetërore dhe institucionet e vendit, duke akuzuar qeverinë për politikë përjashtuese dhe koalicionin VLEN për heshtje ndaj këtyre zhvillimeve.
Në reagimin e saj, BDI thotë se gjatë shënimeve të 35-vjetorit të pavarësisë, gjuha shqipe është anashkaluar në organizimet shtetërore.
“Gjuha shqipe u anashkalua në organizimet shtetërore. Asnjë fjalë. Asnjë shkronjë. Asnjë shenjë. Sikur shqiptarët të mos ekzistojnë në këtë shtet”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI kritikon edhe ndarjen e shpërblimeve shtetërore “8 Shtatori”, duke pretenduar se këtë vit nuk është vlerësuar asnjë sportist, trajner apo emër shqiptar.
Sipas BDI-së, kjo tregon një standard të dyfishtë ndaj shqiptarëve, të cilët, siç thotë partia, vlerësohen kur përfaqësojnë shtetin dhe sjellin rezultate, por mbeten jashtë vëmendjes kur institucionet duhet t’i njohin dhe shpërblejnë për sukseset e tyre.
“Kjo nuk është rastësi. Është politikë”, thekson BDI.
Në reagim, kritikat janë adresuar edhe ndaj VLEN-it, për të cilin BDI thotë se ka ardhur në pushtet me premtime për barazi, përfaqësim dhe të drejta të shqiptarëve, por tashmë, sipas saj, nuk reagon ndaj rasteve të pretenduara të përjashtimit.
“Ku është VLEN-i? Ku janë zëvendëskryeministrat? Ku janë ministrat? Ku janë premtimet për ‘përfaqësim të drejtë dhe adekuat’?”, pyet BDI.
Partia opozitare e përmbyll reagimin duke thënë se shqiptarët nuk janë të padukshëm, por se “të padukshëm po bëhen vetëm ata që po i përfaqësojnë – VLEN”.
Pretendimet e BDI-së vijnë në kuadër të përplasjes politike me shumicën qeverisëse dhe kërkojnë që institucionet dhe VLEN-i të sqarojnë qëndrimin e tyre lidhur me çështjet e ngritura.
