
BDI: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sistematikisht po margjinalizohen
AA
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësimin më të thellë për atë që e cilëson si realizim sistematik të një plani të përbashkët të dy partive maqedonase, të ndërmjetësuar nga oligarkia, me synim vendosjen e shqiptarëve në margjinat e proceseve politike, shoqërore dhe ekonomike në vend.
Në një reagim publik, BDI thekson se rasti i fundit në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut është një dëshmi shqetësuese e kësaj strategjie. Nga 18 punësime të realizuara gjatë gjashtë muajve të fundit në këtë institucion, vetëm një i punësuar është shqiptar – pavarësisht se drejtuesi i institucionit është vetë shqiptar.
“Ky është një shembull i qartë se plani për përjashtimin e shqiptarëve po realizohet përmes metodave të sofistikuara diskriminimi, edhe në ato institucione ku shqiptarët ndodhen simbolikisht në pozita udhëheqëse,” thuhet në deklaratën e BDI-së.
Sipas kësaj partie, strategjia “antishqiptare” po zbatohet në disa nivele:
Duke injoruar legjitimitetin politik të shqiptarëve;
Përmes mosrespektimit të parimit të Badenterit;
Përmes shfuqizimit të balancuesit;
Dhe përmes shkeljes totale të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore dhe publike.
“Shqiptarët jo vetëm që po përjashtohen nga institucionet që udhëhiqen nga të tjerët, por tashmë edhe nga ato që udhëhiqen nga vetë shqiptarët. Ky model është përçmues, antikushtetues dhe i rrezikshëm për karakterin multietnik të shtetit,” thekson më tej BDI.
Në përfundim, BDI rithekson se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj, por një e drejtë kushtetuese që nuk duhet të varet nga vullneti i individëve apo nga skemat e grupeve të interesit.
“Shqiptarët nuk do të heshtin dhe nuk do të dorëzohen përballë këtij plani të qartë për margjinalizim kombëtar,” përfundon deklarata. (INA)