BDI: VLEN mashtroi me 2.500 punësime, shqiptarët po fshihen nga institucionet
BDI akuzon koalicionin VLEN për mashtrim elektoral dhe dështim në realizimin e premtimeve për punësim. Sipas kësaj partie, premtimi për 2.500 vende pune është shndërruar në farsë, ndërsa realiteti është krejt tjetër.
“VLEN mashtroi kur premtoi 2.500 punësime. Realiteti është krejt tjetër: me qindra shqiptarë u larguan nga puna, ndërsa punësimet e reja mund të numërohen në gishta për ndonjë familjar të ndonjërit nga krerët e VLEN-it. Premtimet e tyre u bënë objekt talljeje, aq sa edhe ministri Minçev e quajti këtë premtim të Izet Mexhitit ‘Liza në botën e çudirave’, duke i nxjerrë zbuluar në çdo gënjeshtër dhe duke i turpëruar publikisht,” theksojnë nga BDI.
Nga kjo parti rikujtojnë se vetë Minçev ka pranuar publikisht se shqiptarët janë zvogëluar në përllogaritje, nga 29,5% në vetëm 24,3%, madje më pak se në vitin 2002, kur përbënin 25,17% të popullsisë.
“Pas këtij manipulimi, VMRO realizoi premtimin parazgjedhor: shfuqizimin e balancuesit. Ata e instrumentalizuan Gjykatën Kushtetuese dhe e hoqën këtë mekanizëm, duke shkelur Kushtetutën, Amendamentin VI që garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si vlerë kushtetuese,” theksohet në reagim.
Sipas BDI-së, pas eliminimit të balancuesit, shqiptarët janë lënë jashtë institucioneve shtetërore.
“Pa balancues, shqiptarët u shndërruan në zero. Shumë institucione shpallën si të padëshiruar shqiptarët. Nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli. Premtimet për motrat medicinale në Tetovë u zhdukën pa gjurmë, ligji nuk shihet askund dhe Mickoski ua mbyll gojën publikisht partnerëve të tij shqiptarë sa herë që duan të flasin për punësime. Dhe ata heshtin. Vazhdojnë të heshtin,” thonë nga kjo parti.
BDI kërkon llogari nga koalicioni VLEN për çdo vend pune të premtuar dhe të humbur.
“Shqiptarët meritojnë punësim, përfaqësim dhe dinjitet, jo manipulime dhe fshirje nga institucionet. Shtetin mund ta ndërtojmë vetëm bashkë, pa trajtim diferencial ndaj asnjë komuniteti,” përfundon reagimi i BDI-së. Flaka Media






