
BDI: VMRO-DPMNE s’mund të japë leksione për korrupsion – ne kërkojmë veting me mbikëqyrje ndërkombëtare
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagoi ndaj akuzave të fundit të VMRO-DPMNE-së, duke i cilësuar si “ironi tragjike” pretendimet e partisë së Mickoskit për moral dhe oligarkë.
“VMRO-DPMNE, partia që është akuzuar seriozisht për kapje të shtetit dhe korrupsion galopant, sot jep leksione për moral dhe për oligarkë. Ironi tragjike! Të gjithë e dinë kush i bëri milionat nga privatizimet kriminale, kush kapi institucionet, kush e shndërroi Prokurorinë dhe Gjykatat në zyrë partie dhe kush u pasurua mbi djersën e qytetarëve. Po, janë ata që sot akuzojnë të tjerët”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se qëndrimi i tyre është i pandryshueshëm: “Ne kërkojmë veting të plotë dhe hetim gjithëpërfshirës, pa përjashtim.”
BDI rikujton se tashmë ka dorëzuar propozim-ligjin për veting, duke shtuar se procesi duhet të bëhet me mbikëqyrje ndërkombëtare, si garanci për drejtësi të pakompromis.
Sipas propozimit të BDI-së, vetingu do të përfshijë:
- Hetim për të gjitha partitë politike dhe bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit: ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë dhe prokurorë.
- Verifikim të pasurisë dhe burimit të saj për çdo funksionar publik.
- Hetim të thelluar për procesin e privatizimit që krijoi oligarkët e paprekshëm.
- Hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe zyrtarëve të tyre që nga viti 1945 deri më sot (OZNA, UDB, SDB, DBK, UBK, ANB).
“BDI jo vetëm që nuk ka frikë nga kontrolli, por insiston në veting, i cili do të pastrojë politikën dhe do të rikthejë besimin e qytetarëve në institucione”, theksojnë nga partia.
Në reagim shtohet se ata që kundërshtojnë më shumë sot janë pikërisht ata që e dinë se procesi i vetingut do të zbulojë atë që opinioni tashmë e di: “VMRO-DPMNE nuk ka kredibilitet të flasë për korrupsion, janë kampionë të tij dhe e kanë pranuar këtë edhe raportet ndërkombëtare.”
“Partitë shtetformuese do të ishin kujdesur për sigurimin e perspektivës evropiane, e jo në grumbullim të pikave të ulta politike. Mjaft me sulme personale dhe gënjeshtra për të fshehur politikat që rrënojnë marrëdhëniet ndëretnike, politika që synojnë rivendosje të supremacisë etnike”, përfundon reagimi i BDI-së. Flaka