
BE-ja, “bota serbe” – protokolli i ri
AA
Shkruan: Nikica Korubin
Nëse bëjmë një retrospektivë të shkurtër të viteve të fundit, përmes diskursit publik dhe narrativës së imponuar, do të vërejmë përparimin e madh sa i përket formësimit të qëndrimit të imponuar për proceset dhe tendencat, në të cilat (pa)vetëdije si shtet kemi qenë dhe jemi të përfshirë nga elitat politike. Pra, nëse deri para disa vitesh ka qenë absolutisht skandaloze dhe pretenduese që të problematizohet projekti i “Mini-Shengenit” – i shndërruar me shpejtësi në “Ballkani i Hapur” – që në fakt është kthyer në një zgjatim të të ashtuquajturës “botë serbe”; sot është e domosdoshme që të gjithë aktorët politikë zyrtarë dhe “analistët zyrtarë” të kenë qëndrim ndaj përkufizimit zyrtar të BE-së për “konceptin përmes të cilit tentohet të krijohet një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”.
Ky legjitimim i një “termi të ndaluar deri dje”, në fakt përbën një hap përpara, në një hapësirë tërësisht të kontrolluar mediatike, e diktuar, ndër të tjera, edhe në favor të këtij koncepti. Që ky qëndrim, në masë të madhe, është ambivalent, relativizues, sipërfaqësor, qëllimisht komik apo i heshtur; është vetëm dëshmi e (bashkë)pjesëmarrjes dhe pasivitetit në zbatimin e tij.
Kur të largohen arsyetimet qesharake për “përfitimet ekonomike”, për takimet formale shtetërore, duke heshtur njëkohësisht për “ndërhyrjen identitare” përmes institucioneve fetare zyrtare dhe për “përvetësimin dhe monopolizimin” e trashëgimisë kulturore; cili është, në fakt, qëndrimi i “elitave tona” për këtë “çështje” në raportin që Parlamenti Evropian ka për ne?
Por, pa “mjegullën” për “botën hungareze” apo “botën ruse”, e cila kulmon me “botën maqedonase”, pa kuptuar se ikja nga thelbi nuk e fsheh dot atë, por vetëm e zbulon plotësisht; cili është qëndrimi dhe përgjigjja për “sferën e ndikimit që minon sovranitetin”? Cili është qëndrimi i një vendi anëtar të NATO-s si i yni, për “stabilitetin e rajonit”?
“Bota serbe”, e cila ndërkohë retorikisht është avancuar në “integralizëm serb”, e përkrahur nga studentë dhe qarqe liberale, nuk është ndonjë emërtim i bukur për kulturën dhe traditën serbe, por një shprehje për hegjemonizmin serb. E konfirmuar zyrtarisht nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.
Brenda kësaj “bote serbe” gjendet edhe Maqedonia e Veriut – territori i saj, kultura dhe trashëgimia kulturore, identiteti dhe tradita e saj janë “objekti”, jo subjekti që duhet të ketë qëndrim; “shënjestra dhe viktima”, jo bashkëbisedues i barabartë; në botëkuptimin e “botës serbe”, ne jemi “të nënshtruar dhe vasalë”, jo të pavarur dhe sovranë; prandaj, mbrojtja e “botës serbe” është një kategori mazohiste, një absurditet në vetvete. Mbrojtje e mosqenies vetjake?
Pikërisht për këtë arsye, në këtë konstelacion të qartë dhe të formalizuar – rajonal, evropian dhe global – çdo përpjekje për të cënuar Marrëveshjen e Prespës, e cila është e pandashme dhe pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; Marrëveshjen me Bullgarinë, e cila bashkë me Marrëveshjen e Prespës është pjesë e kornizës negociuese dhe qëndrimit të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut; dhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila është përfshirë sërish në raportin më të fundit të BE-së, dhe është strategjikisht kyçe për “partnerin strategjik” SHBA – përmes kundërshtimit të pjesëve të tyre (siç është Protokolli) – paraqet sulm mbi themelet e një Maqedonie të Veriut të pavarur, jo vetëm politikisht, por edhe “e pavarur” nga ndikimi i konceptit të “botës serbe”. Me fjalët e BE-së: “bota serbe” është një koncept përmes të cilit tentohet të krijohet një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.
Por, interesante është se gjatë gjithë këtyre viteve, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, kur bëhej thirrje për bllokim ose (vetë)bllokim të integrimit në BE; askush asnjëherë nuk foli për “pasojat” e problematizimit dhe sabotimit të tri marrëveshjeve kyçe për mbijetesën e Maqedonisë së Veriut si shtet i pavarur – për jetën e përditshme të çdo qytetari (sistemi i organizuar evropian, mundësi të mira ekonomike, kushte urbanistike të favorshme, standarde për mbrojtjen e “identitetit” dhe trashëgimisë kulturore, mjedisi jetësor, komunikimet dhe udhëtimet); dhe anasjelltas – për “përfitimet” e koncepteve autoritare dhe hegjemoniste, por përfitimet për nënshtetasit, jo për sundimtarët dhe vasalët. Sepse në atë koncept, “zotëria” është jashtë.
Për herë të parë “elitat e trashëguara” ndodhen në pozitë ku duhet të mbrojnë vetveten dhe ekzistencën e së kaluarës së ndërtuar mbi mashtrime. Dhe këtë luftë e projektojnë mbi gjithë shoqërinë dhe gjithë shtetin. Kjo është beteja e tyre, për pozitat e tyre (të trashëguara) dhe për ndikimin e tyre të vazhdueshëm. Dhe është e kuptueshme që për ta “nuk ka rëndësi” BE-ja, kur ata tashmë kanë “pozita të BE-së” në një shtet të varfër; është e kuptueshme që “nuk kanë hall” për qytetarët, sepse ata gjithmonë kanë qenë të privilegjuar; dhe është e kuptueshme që “nuk e kanë problem” ndikimin e huaj kur e ndjejnë si “të vetin”; por pyetja është: a nuk u intereson edhe për shtetin – pa të cilin nuk kanë ku të jenë “elita”? Shtet i kapur apo shtet evropian – cila është beteja më e rëndësishme? Kjo është pyetja më e madhe.