Befasi e madhe, “Renault” largohet nga Formula 1
Marka e njohur e motorëve “Renault” ka zyrtarizuar largimin e saj nga Formula 1 në fund të vitit 2025. Kjo do të thotë që skuadra “Alpine”, që aktualisht përdor motorin “Renault”, nga viti 2026 do të kthehet në një skuadër satelit. Pra, “Alpine” do të vihet në shërbim të një skuadre tjetër të Formula 1, duke përdorur motorin e saj.
Me shumë gjasa, do të jetë “Mercedesi”, ajo që do të furnizojë me motorin e saj “Alpine”, që tashmë kthehet në një makinë satelit. Largimi i “Renault” ka tronditur jo pak botën e Formula 1, që humbet kështu një prej markave të saj kryesorë dhe historikë. Gjithsesi, “Audi” dhe “Ford” kanë shfaqur interes për të zënë vendin e markës që do t’i thotë lamtumirë garave të Formula 1 pas një viti.
Duket se “Renault” nuk ishte në gjendje të përballonte shpenzimet që do të duheshin për të ndërtuar një motor të ri duke nisur nga viti 2026, kur ndryshojnë rregullat. Duket se Formula 1 përgatitet për një revolucion të madh muajt në vijim.