
Befasi në “US Open”, eliminohet Alkaraz në raundin e dytë
Grand Slam i “US Open” ka dhuruar një surprizë të madhe në ndeshjet e raundit të dytë. Numri dy në botë për meshkuj, spanjolli Karlos Alkaraz, është mundur 3-0 (6-1, 7-5, 6-4) nga holandezi Botik van de Zandshlup, numri 74 në botë. Një eliminim i papritur i spanjollit, favorit për këtë turne, por që në fushë zhgënjeu totalisht.
Në raundin e tretë avancon rusi Daniil Medvedev, që mundi 3-0 Fabian Maroszan. Nuk zhgënjen as italiani Janik Sinner, numri 1 në botë, që mundi po 3-0 Aleks Mikelsen.
Te femrat, eliminohet tenistja japoneze Naomi Osaka, që në raundin e dytë u mund 2-0 (6-3, 7-6) nga çekja Karolina Muçova. Fiton danezja Karoline Vozniaki, që mundi 2-0 Renata Zarazua, ndërkohë që fiton pa probleme edhe numri 1 në botë, Iga Sviatek. Një biletë për më tej siguron edhe Xhesika Pegula, ndërkohë që është tërhequr nga turneu kazakja Elena Ribakina, numri 4 në botë.