Begaj viziton anijen ushtarake të Marinës britanike pranë Durrësit
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi të hënën një vizitë në anijen ushtarake të Marinës së Mbretërisë së Bashkuar, RFA “Argus”, e cila ndodhet në ujërat shqiptare në afërsi tê Durrësit.
Kjo vizitë kryhet në kuadër të bashkëpunimit të fortë, miqësisë së ngushtë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe si dy vende anëtare të NATO-s.
Shqipëria feston këtë vit 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe përgjatë kësaj periudhe, përmes stërvitjeve të përbashkëta, pjesëmarrjes së përbashkët në misione, ka dëshmuar që është një anëtare e denjë e Aleancës.
Presidenti u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Pëgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Arben Kingji, dhe Ambasadori britanik, SH. T. Z. Alastair King-Smith.
Në bordin e anijes Presidenti u prit nga Komandanti dhe ekuipazhi. Presidenti Begaj falënderoi Komandantin e anijes për vizitën në Shqipëri, duke u shprehur se prezenca e tyre në rajon është domethënëse në një kohë kur siguria është tronditur pas agresionit rus në Ukrainë.
Gjithashtu, Presidenti Begaj vlerësoi forcat e armatosura të Marinës Mbretërore, të cilët i shërbejnë jo vetëm vendit të tyre, por dhe sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, Evropë e më gjerë. Gjatë vizitës në anijen ushtarake britanike, Presidenti Begaj pa nga afër shërbimet dhe kapacitet e saj.
/abcnews.al