
Bekim Qoku godet ASH-në: Politika e tyre është kthyer në tezgë pazari
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, ka bërë një analizë mbi gjendjen e partive që kanë dalë nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), duke i akuzuar ato për mungesë orientimi politik dhe për shndërrimin e politikës në një mjet për përfitime personale dhe klanore, transmeton ZYRTARE.net
Sipas Qukut, elektorati i këtyre partive – që përfaqësonte gjysmën e trupës shqiptare në vend – ka mbetur pa bosht dhe drejtim politik që prej nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një dokument që, sipas tij, nuk është pranuar kurrë si zgjidhje nga mendimi politik i PDSH-së.
“Në momentin që Arbën Xhaferi u largua nga politika aktive, përfundoi çdo përpjekje serioze për të udhëhequr këtë elektorat në një rrugë konkurruese me BDI-në,” shkruan Quku. Ai shton se drejtuesit e mëvonshëm të partive si RDK, BDSH, Demokracia e Re, LRPDSH dhe ASH, janë karakterizuar nga mungesa e një projekti serioz dhe veprim i çoroditur politik.
Sipas tij, këto parti janë themeluar si reagim ndaj stilit autoritar të Menduh Thaçit, por kanë dështuar të ofrojnë një vizion të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. “Nuk i dhanë bindshëm përgjigje pyetjes ‘Quo vadis shqiptarët e Maqedonisë?’”, shprehet Quku.
Ai kritikon ashpër qasjen taktike dhe pragmatike të këtyre forcave politike, duke thënë se politika për ta është kthyer në një “tezgë pazari” ku qëllimi kryesor është pushteti përmes punësimeve partiake, tenderëve dhe përfitimeve personale. “Kjo i bëri kollaj të korruptueshëm dhe i korruptoi në mënyrë të pashmangshme,” përfundon Quku./ZYRTARE.net/