
Benzema thyen heshtjen: Jo vëtëm futbollist, por ambasador në Arabinë Saudite
Në një intervistë dhënë për “GQ Middle East”, sulmuesi francez Karim Benzema, flet sërish pas përplasjes që pati javët e fundit me “Al Ittihad”, klubin e tij saudit që e përjashtoi nga stërvitja për shkak të mos kthimit në datën e paracaktuar.
Francezi flet për ndikimin e tij në Arabinë Saudite dhe aventurën e re larg Europës.
“Arabia Saudite është një vend i jashtëzakonshëm, unë jam në paqe këtu. Është një sfidë e re që më pëlqen, një projekt afatgjatë në një vend mysliman. Unë nuk jam vetëm një futbollist këtu në Arabinë Saudite, jam edhe ambasador. Jam këtu për të sjellë lojtarë të tjerë të mëdhenj evropianë në të ardhmen e afërt, edhe nëse kanë ardhur tashmë disa. Sfida është të ngremë nivelin e këtij kampionati në lartësitë e atyre evropiane”.
Mbi tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur.
“Koha do ta tregojë, por do ta zgjedh vetë kur duhet të mbarojë karriera ime. Do të doja të mbahesha mend si dikush që e nisi nga fundi dhe u ngjit në krye i vetëm, pavarësisht pengesave që hasi. Është diçka që më bën vërtet krenar,” tha mes tjerash Benzema.