
Besëlidhja – AKI dorëzon kandidaturat në Vrapçisht, Isen Shabani kandidon për mandatin e tretë
Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim ka dorëzuar sonte zyrtarisht kandidaturën për kryetar komune dhe listën për këshillin komunal të komunës së Vrapçishtit.
Në garën për kreun e komunës do të rikandidojë për mandatin e tretë Isen Shabani, nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Evzal Arsllani nga BDI do të jetë bartës i listës për këshillin komunal.
Pas dorëzimit të kandidaturave, Shabani premtoi një fushatë transparente dhe shprehu dëshirën që zgjedhjet të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike.
Ai theksoi se vendimi i fundit qeveritar për ndarjen e banorëve në rezidentë dhe jo-rezidentë ka ndikuar në uljen e numrit të këshilltarëve komunalë në Vrapçisht – nga 19 në 15.
Duke u shprehur i bindur në fitoren e mandatit të tretë më 19 tetor, Shabani tha se kjo do të jetë një vlerësim i punës së bërë gjatë dy mandateve të kaluara.
Ndërkohë, bartësi i listës për këshillin komunal, Evzal Arsllani, nga fshati Dibërdoll dhe nga radhët e BDI-së, tha se “aty ku ka unitet, fitorja është e sigurt”. Ai theksoi se lista përfaqëson individë me reputacion dhe integritet të lartë dhe përfshin kandidatë nga disa subjekte politike pjesë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim.
Shabani dhe Arsllani u bënë thirrje qytetarëve të komunës së Vrapçishtit për mbështetje masive dhe për një fitore të thellë në zgjedhjet lokale. Flaka