
Besëlidhja i drejtohet Mexhitit: “Zgjidh: ministër apo kandidat, të dyja nuk shkojnë bashkë!
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka ngritur sot shqetësime serioze për kandidaturën e Izet Mexhitit në Çair, duke e cilësuar të papranueshme faktin që ai vazhdon të mbajë dy poste qeveritare, edhe pasi është shpallur kandidat për kryetar të komunës.
“Sot jemi këtu për të ngritur një çështje serioze, që lidhet jo vetëm me zgjedhjet lokale në Çair, por me standardet e demokracisë dhe barazisë në garën politike në vendin tonë,” tha përfaqësuesi i AKI-së në konferencë për media.
Sipas tyre, Mexhiti, që aktualisht është zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe ministër i Ekologjisë, po garon në kushte të pabarabarta.
“Megjithëse ka shpallur kandidaturën e tij, Mexhiti nuk ka dhënë dorëheqje nga dy funksionet e larta shtetërore që mban,” theksuan nga AKI.
Ata nënvizuan disa pyetje që sipas tyre mbeten pa përgjigje:
“Pse Izet Mexhiti nuk jep dorëheqje? A ka frikë nga humbja e zgjedhjeve të 19 tetorit? A nuk i beson forcës së votës së qytetarëve të Çairit? Apo ka vendosur që të mbajë një ‘plan B’ – që nëse humb këtu, të vazhdojë të rrijë në karrigen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit?”
AKI e konsideroi këtë sjellje si fyerje për qytetarët dhe shkelje të parimeve të barazisë politike.
“Çairi nuk ka nevojë për një kandidat që garon me privilegjet e qeverisë, por për një garë të ndershme, të hapur dhe transparente,” theksuan ata.
Kërkesa e tyre është e qartë:
“Aleanca Kombëtare për Integrim kërkon dorëheqje të menjëhershme të Izet Mexhitit nga të dy postet qeveritare. Nëse vërtet dëshiron të shërbejë Çairit, le të dalë para qytetarëve vetëm si kandidat, pa pushtet qeveritar në xhep dhe pa resurse shtetërore të vëna në shërbim të fushatës së tij.”
Në fund, mesazhi për Mexhitin ishte i drejtpërdrejtë:
“Zgjidh – ose ministër, ose kandidat. Të dyja nuk shkojnë bashkë! Çdo vonesë, çdo justifikim, është vetëm dëshmi e frikës së tij nga verdikti i 19 tetorit.” Flaka