BFI le besimtarët pa imam/ Çështja e imamit Sabahudin Zeqiri në Ohër pa zgjidhje, BFI dhe Reis-ul-ulema heshtin
Rasti i imamit Sabahudin Zeqiri nga Ohri vazhdon të mbetet i pazgjidhur, pavarësisht reagimeve dhe denoncimit publik në media. Zeqiri, i diplomuar në Medinë të Arabisë Saudite dhe me përgatitje të plotë akademike fetare, vazhdon të mos gjejë angazhim nga Myftinia e Ohrit, e cila deklaron se nuk ka vende të lira për imamë, përcjell Zyrtare.net
Paradoksi, sipas tij, qëndron në faktin se në Ohër ka xhami të mbyllura, ndërkohë që mungesa e imamëve përdoret si arsyetim për mosangazhimin e tij. Edhe pas raportimeve mediatike, çështja ka mbetur pezull, pa asnjë reagim zyrtar nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) apo nga Reis-ul-ulema Shaqir ef. Fetahu.
Sipas hoxhës Zeqiri, heshtja institucionale tregon mungesë interesi për përmirësimin e gjendjes fetare dhe për shërbimin ndaj besimtarëve myslimanë, duke akuzuar strukturat përgjegjëse se po mbrojnë interesa personale, e jo interesin e komunitetit.
Ai paralajmëroi se me nisjen e muajit të Ramazanit, në mungesë të mundësisë për të shërbyer në xhamitë e vendit, do të detyrohet të largohet jashtë shtetit.
“Për shkak se këtu nuk m’i hapën dyert e shtëpive të Zotit që t’u shërbej njerëzve, do të detyrohem të dal jashtë vendit dhe të shërbej në vendet e Evropës, atje ku më presin me dashamirësi,” deklaroi për Tetovasot imami Zeqiri.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje BFI-së dhe Myftinisë së Ohrit që të reflektojnë dhe të kryejnë misionin për të cilin janë thirrur, duke shtuar se është i gatshëm të ofrojë dorën e pajtimit dhe të nisë shërbimin fetar sapo institucionet t’i hapin rrugë angazhimit të tij në dobi të besimtarëve./ZYRTARE.net/