“Big Brother” para zgjedhjeve, ky eksperiment i veçantë danez
Në Danimarkë u transmetua një reality show krejtësisht i veçantë, protagonistë të të cilit ishin udhëheqësit e partive politike. Ata kaluan 24 orë së bashku, të izoluar nga telefonat celularë dhe pa praninë e këshilltarëve të tyre, duke u kthyer në kryetemën e diskutimeve publike në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
Ky format televiziv eksperimental, ku krerët e partive daneze bashkëjetuan për një ditë të plotë, zgoi interes të madh përpara votimeve. Programi titullohen Højskolen, një emër që i referohet shkollave të larta popullore për të rritur, të cilat janë një element unik i sistemit arsimor danez.
Emisioni ishte i ndarë në katër episode, ku i fundit u transmetua të dielën në kanalin publik TV 2. Serioziteti i këtij formati u konfirmua nga pjesëmarrja e liderëve të të 12 partive që kanë ulëse në parlament, përfshirë këtu edhe kryeministren Mette Frederiksen.
Ndonëse është hera e parë që një format i tillë realizohet në Danimarkë, ai bazohet në një ide të krijuar në Belgjikë në vitin 2024, me titullin “Konklava” (Het Conclaaf).
Rregullat janë të prera: politikanët nuk lejohen të mbajnë telefona inteligjentë dhe nuk mund të shoqërohen nga “spin doctor-ët” (këshilltarët e tyre të komunikimit). Qëllimi kryesor është nxitja e spontanitetit në ndërveprimet e tyre, edhe pse brenda një mjedisi të kontrolluar televiziv.
Shfaqja, e cila zhvillohet në ambientet e një shkolle për të rritur, u xhirua në fund të shkurtit, pak para se të shpalleshin zgjedhjet. Megjithatë, ritmi i episodeve dhe ndjesia e risisë që solli, i dhanë një energji të re fushatës zgjedhore.
Më shumë sesa për deklaratat politike – të cilat mbetën besnike ndaj programeve të tyre partiake – për Højskolen u fol për veprimet e tyre të përditshme. Për shembull, shikuesit i panë udhëheqësit duke kënduar në kor, duke ngrënë apo duke kaluar kohë së bashku.
Ata madje uleshin në çifte në një lloj “rrëfimi”, ku diskutonin hapur për çështje që zakonisht i ndajnë partitë e tyre. Një nga momentet që bëri më shumë bujë ishte debati në tryezë mbi recetën e “spagetit bolonje” midis kryeministres Frederiksen dhe udhëheqësit populist të krahut të djathtë, Morten Messerschmidt.
Ky diskutim mbartte një nëntekst të fortë politik. Në fushatën e kaluar, Frederiksen (nga Social Demokratët) kishte premtuar se çdo familje do të ishte në gjendje të përballonte një pjatë spageti, si referencë ndaj kontrollit të inflacionit.
Ndërkohë Messerschmidt e shfrytëzoi rastin për ta thumbuar, duke i kujtuar se ajo nuk ia kishte dalë ta mbantë këtë premtim. Ky format synon të projektojë një imazh harmonie institucionale mes udhëheqësve.
Në fakt, politika daneze muajt e fundit është karakterizuar nga një lloj uniteti kombëtar, i nxitur edhe nga kërcënimet e Donald Trump për të “pushtuar” Grenlandën (pjesë e Mbretërisë së Danimarkës), kundërshtuar ashpër nga mbarë popullsia.
Kryeministrja Frederiksen i shpalli zgjedhjet shtatë muaj para përfundimit të mandatit, pikërisht për të përfituar nga kjo frymë uniteti dhe rritja e konsensusit që rrodhi prej saj. Partia e saj, Social Demokratët, udhëheq qartë në sondazhe me rreth 20 për qind të votave, duke kryesuar një koalicion të larmishëm me partinë konservatore Venstre dhe të Moderuarit e qendrës. /tesheshi.com/