
Bilall Kasami i përgjigjet Ali Ahmetit: Ke humbur kontaktin me realitetin
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka shpërthyer me një reagim të fuqishëm ndaj partisë në pushtet, të cilën e akuzon për korrupsion, pasurim të paligjshëm dhe manipulim të opinionit publik.
“Partia e milionerëve ka dalë krejtësisht prej binarëve,” deklaron Kasami. “Ata që për 20 vjet u ulën mbi shpinën e shqiptarëve, që ndanë shtetin si plaçkë dhe u pasuruan si pashallarë, sot bërtasin sikur janë viktima. Kanë humbur çdo kontakt me realitetin.”
Kasami i drejtohet drejtpërdrejt liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, duke e akuzuar për hipokrizi dhe përpjekje për të mbrojtur interesat personale familjare:
“Po kush i ha më këto përralla, o Ali? Thuaju struganëve sa mori dhëndri yt nga biznesi me mazut? Sa miliona hynë në xhepat tuaj nga ai pazar? Nuk të djeg për shqiptarët, por për dhëndrin. Po bën zhurmë që ta shpëtosh nga burgu, kjo është e vërteta!”
Kryetari i Tetovës akuzon BDI-në për manipulim sa herë që drejtësia afrohet:
“Sa herë që drejtësia afrohet, nis cirku! Fillojnë fjalimet, dalin deklaratat, madje kërkoni edhe veting. Po 22 vjet ishe në pushtet, o Ali! Çfarë bëtë gjatë gjithë asaj kohe?”
Në përmbyllje, Kasami thekson se koha e manipulimeve ka marrë fund dhe shqiptarët nuk bien më pre e skemave politike:
“Shqiptarët janë zgjuar. Nuk tremben më nga ‘tërmetet’ që i shpik për të mbuluar panikun tënd. Koha jote ka kaluar. Koha e shqiptarëve ka nisur – dhe ajo s’kthehet më pas.”