
Bilall Kasami në Preshevë: Bashkëpunimi, çelësi për të ardhmen e shqiptarëve në rajon
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, realizoi sot një takim zyrtar në Preshevë me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në fokus të bisedës ishin thellimi i bashkëpunimit ndërmjet komunave shqiptare në rajon, adresimi i sfidave të përbashkëta dhe nxitja e iniciativave për zhvillim ekonomik dhe social në trevat shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
“Diskutuam për sfidat që na bashkojnë, por edhe për mundësitë reale që kemi për të avancuar interesat kombëtare dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për shqiptarët, jo vetëm në Luginë dhe në Maqedoni, por kudo që ndodhen,” u shpreh Kasami.
Ai theksoi se forca e shqiptarëve qëndron në unitet, koordinim dhe bashkëveprim.
“Vetëm duke bashkëpunuar mund të përballemi me sfidat dhe të sjellim zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë,” tha ai në përfundim të takimit.
Takimi në Preshevë u vlerësua si një hap domethënës drejt intensifikimit të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkomunal, në shërbim të interesit të përbashkët kombëtar shqiptar në rajon.