
Bilall Kasami përkujton 2 Majin: Liria nuk duhet të mbetet vetëm histori
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka kujtuar 2 Majin me një mesazh të fuqishëm për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së në Sllupçan dhe Karadak. Ai theksoi se kjo ditë është një kujtesë për gjeneratat që refuzuan të jetojnë në nënshtrim dhe zgjodhën dinjitetin përpara frikës, lirinë përpara jetës.
“Nuk përulemi vetëm për të kaluarën, por betohemi për të ardhmen”, shkruan Kasami, duke theksuar se qëllimi i luftës nuk ishte hakmarrja, por e drejta e mohuar brez pas brezi. Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta ruajnë dhe nderojnë këtë amanet, në mënyrë që liria të mos mbetet vetëm pjesë e së kaluarës.
Kasami e përmbylli mesazhin e tij me nderime për luftëtarët dhe dëshmorët e UÇK-së: “Nder të përjetshëm për luftëtarët e UÇK-së dhe lavdi të pavdekshme për dëshmorët tanë!”