
Bilall Kasami përkujton Komandant Kushtrimin dhe Komandant Hoxhën në 15-vjetorin e rënies së tyre
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përkujtuar sot 15-vjetorin e rënies së Harun Aliut – Komandant Kushtrimi dhe Shaban Zenunit – Komandant Hoxha, dy figura të njohura të qëndresës shqiptare.
“Sot shënojmë 15-vjetorin e rënies së Komandant Kushtrimit dhe Komandant Hoxhës. Pesëmbëdhjetë vite që zemra shqiptare i kujton me mall, me krenari dhe me dhimbje dy nga bijtë më të dashur të kombit tonë,” shkroi Kasami.
Duke i vlerësuar ata si shembuj të sakrificës dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare, Kasami theksoi idealin e lirisë që udhëhoqi Komandant Kushtrimin dhe ndershmërinë e Komandant Hoxhës, i cili sipas tij “gjithmonë ishte në shërbim të njerëzve, gjithmonë në anën e së drejtës.”
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Kasami u shpreh: “U kemi borxh të madh atyre që dhanë gjithçka për ne. E kemi për detyrë ta ruajmë kujtimin e tyre si dritë për brezat që vijnë. Lavdi përjetë Komandant Kushtrimit dhe Komandant Hoxhës! Nuk harroheni kurrë!”