“Bild” shton edhe një emër në listën e pasusesve të Çavit te Barcelona
Hansi Flik i bashkohet listës së trajnerëve në garë për të pasuar Çavi Hernandezin në stolin e Barcelonës. Siç njoftoi gazeta “Bild”, ish-trajneri gjerman është një nga kandidatët për të marrë drejtimin e skuadrës “blaugrana” në verë, kohë në të cilën Çavi do ta mbyllë përvojën e tij te klubi ku fitoi gjithçka si futbollist.
Flik, ish-trajner i Bajernit që shkatërroi 2-8 Barcelonën në “Camp Nou” në vitin 2020, pëlqehet shumë nga presidenti Zhoan Laporta. Gjithmonë sipas “Bild”, Barcelona u përpoq ta bindte në vitin 2021 përmes një video-konference, por trajneri gjerman e refuzoi ofertën, kështu që ekipi përfundoi në duart e Ronald Kumanit.
Vlen të kujtohet se karriera e Flik mori hov rastësisht. Pasi u bë kampion bote në vitin 2014 si ndihmës i Joakim Loevit, njeriu nga Heidelbergu kaloi nëpër zyrat e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe Hofenhajmit, derisa mori thirrjen nga Bajerni për t’u bërë asistent i Niko Kovaçit.
Pasi kroati u shkarkua në vitin 2019, gjashtë herë kampionët e Evropës zgjodhën Hansi Flik-un si trajner të përkohshëm, por falë rezultateve pozitive, siguroi kontratën deri në vitin 2023.