Blerant Ramadani: Ibrahim Rugova mbetet ndërgjegjja politike që na mungon sot
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka kujtuar 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë jo vetëm si figurë historike, por si një ndërgjegje politike që, sipas tij, mungon gjithnjë e më shumë në realitetin e sotëm politik.
Në një reagim publik, Ramadani thekson se në një rajon ku politika shpesh perceptohet si zhurmë dhe imponim, Rugova dëshmoi se arma më e fuqishme e një lideri është konsistenca. Ai nënvizon se shteti nuk ndërtohet me rrënim, por me ndërtim të qëndrueshëm, hap pas hapi, duke e krahasuar qasjen e Rugovës me durimin e një arkeologu që zbulon rrënjët e kombit dhe vizionin e një arkitekti që projekton të ardhmen.
Sipas Ramadanit, doktrina politike e Rugovës mbetet unike edhe sot, pasi ai nuk synoi të sundojë mbi njerëzit, por t’i bashkojë rreth një ideje të madhe. Ai shton se Rugova e kuptoi qartë se miqësitë strategjike me Perëndimin nuk janë thjesht taktika mbijetese, por orientim dhe destinacion identitar.
Në mesazhin e tij, Ramadani vëren se në kohë turbulencash, kur busulla politike shpesh humb drejtimin, trashëgimia e Ibrahim Rugovës shërben si kujtesë se liderët e vërtetë nuk maten me forcën që demonstrojnë sot, por me institucionet që lënë pas për brezat e ardhshëm.
Në fund, ai i ka bërë homazh vizionarit që guxoi të ëndërronte lirinë dhe pati mençurinë ta shndërronte atë në realitet, duke theksuar se vepra dhe filozofia politike e Rugovës mbeten udhërrëfyes për politikën shqiptare edhe dy dekada pas ndarjes së tij nga jeta.