Blerant Ramadani: Maqedonia e Veriut po përjashtohet nga tryezat ndërkombëtare
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, reagoi sot për mungesën e Maqedonisë së Veriut në nismën ndërkombëtare Board of Peace, duke e cilësuar këtë si pasojë direkte të mungesës së peshës diplomatike të shtetit.
Ramadani theksoi se fakti që në këtë nismë marrin pjesë Kosova, Bullgaria, Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Shkupi është i përjashtuar, nuk është rastësi, por sinjal i qartë se shteti nuk po flet mjaftueshëm fort në emër të vetes.
“Shteti ynë nuk mungon sepse nuk ka vlera, por sepse nuk ka diplomaci që i mbron dhe i promovon ato. Përjashtimi nga tryezat ku merren vendime nuk është aksident, por pasqyrë e politikës së gabuar të përfaqësimit,” deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut ka nevojë urgjente për një diplomaci aktive, me dinjitet dhe vizion strategjik, që di të trokasë dhe të hyjë në proceset vendimmarrëse ndërkombëtare.
“Koha e politikës së heshtur ka përfunduar. Maqedonia e Veriut meriton të jetë pjesë e vendimmarrjes, jo vetëm spektatore. Ka ardhur koha për zë të qartë dhe përfaqësim serioz,” përfundoi Ramadani.