
Blerim Sejdiu në Sallarevë: Premton projekte zhvillimore dhe turizëm malor në Liqenin e Treskës
Kreu i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, zhvilloi një takim të ngrohtë me banorët e fshatit Sallarevë, ku bashkëbisedimi u përqendrua në projektet e rëndësishme që po realizohen dhe që pritet të sjellin ndryshime të mëdha për këtë zonë.
Në fjalën e tij, Sejdiu përmendi rrugën Merovë–Sallarevë, e cila tashmë është në proces dhe po merr formë, si dhe rrugën Gurguric–Sallarevë, që sipas tij do të hapë horizonte të reja zhvillimi për banorët lokalë.
Një ndër projektet më të rëndësishme të prezantuara ishte ai i turizmit malor në Liqenin e Treskës, të cilin Sejdiu e cilësoi si një ëndërr të kahmotshme të banorëve që tashmë po shkon drejt realizimit.
“Sallareva ka potencialin të bëhet një nga destinacionet më atraktive turistike të rajonit. E ardhmja është këtu dhe ne së bashku do ta ndërtojmë,” u shpreh kreu i komunës.
Banorët e pranishëm e pritën me interes dhe shpresë këtë takim, duke theksuar rëndësinë e projekteve për zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.