
Borusia Dortmund me trajnerin e ri, Niko Kovaç në vend të Nuri Sahinit
Trajneri kroat Niko Kovaç pritet të bëhet trajneri i ri i Borussia Dortmundit për të zënë vendin e të shkarkuarit Nuri Sahin. 53-vjeçari është afër emërimit si kryetrajneri i skuadrës së Dortmundit. Palët kanë arritur një marrëveshje për një kontratë që zgjat deri në vitin 2026 ka njoftuar Florian Plettenburg.
Kovaç ka një eksperiencë të pasur në futbollin evropian. Më parë, ai ka drejtuar klube të njohura si Aintraht Frankfurt, Bajern Munih dhe Monako. Klubi i tij më i fundit ishte Volfsburg, ku ai ka treguar aftësi të mira menaxhuese.
Me Dortmundin, Kovaç do të përballet me sfidën e rivendosjes së skuadrës në një nivel konkurrues, duke u përpjekur të kthejë ekipin në një kandidat të fortë për garat evropiane pasi sa i përket titullit duket e pamundur që verdhezinjtë të luftojnë.
Tifozët e Dortmundit shpresojnë që eksperienca dhe qasja e Kovaçit të sjellë stabilitet dhe sukses në të ardhmen e klubit. Ky emërim vjen në një kohë kur Dortmundi po kërkon një fillim të ri pas një sezoni me ulje ngritje, dhe Kovac duket të jetë figura ideale për të udhëhequr këtë tranzicion.